Premtimet e ekzagjeruara dhe përgjegjësia

Pristina Oct 18, 2000

Prishtinë, 18.10.2000.

Në Kosovën që doli nga lufta para më shumë se një vit e gjysmë, ka shumëçka që shqetëson. Gjërat e tilla nuk kanë ose kanë pak shpjegime dhe, çka është më keq, nuk shihen gjasat e kapërcimit të tyre në të ardhmen. Në radhën e çështjeve akute me ndikim afatgjatë, ringjallja ekonomike paraqet shkaktar shqetësues të dorës së parë. Papunësia, ekzistenca, angazhimi i të rinjëve. Vargu zinxhiror i problemeve gati nuk ka fund. Ka shumë që presin se pas zgjedhjeve lokale mund të nisë një e mbarë edhe në këtë pikëpamje. Pjesërisht, këto shpresa lidhen edhe me debatet e tashme paraelektroale ku premtimet gjithëfarëshe për t'i joshur votuesit e zënë vendin kryesor në fjalimet e politikanëve dhe të kandidatëve. Gjatë fushatave paraelektorale politikanët dhe partitë premtojnë gjëra për të cilat edhe vetë e dinë ose duhet ta dinë se nuk mund t'i realizojnë ose janë të parealizueshme brenda një afati të shkurtër.

Në vendet me traditë demokratike, pak ose shumë, elektorati është i vetëdijshëm për teprimet e këtilla të politikanëve dhe të partive. Atje ku mungojnë përvojat e tilla kolektive dhe ku njerëzit ballafaqohen me probleme të rënda të natyrës ekzistenciale, elektorati dhe populli tregojnë prirje që t'i marrin seriozisht dhe t'u besojnë politikanëve, sidomos atyre që në mënyrë jokritike i konsiderojnë njëfarë lloj idhujsh të tyre. Elektorati i këtyre vendeve nuk ka njohuri se në hovin e luftës për vota, politikanët i humbin shumë kritere të qasjes reale ndaj problemeve, nuk mendojnë për periudhën pas zgjedhjeve, për kohën e realizimit të premtimeve, të përgjegjësisë së shumicës dhe për atë se dikush që mban mend, mund t'i kapë për fjale. Kosova tash po përpiqet t'i vendosë disa pikëmbështetje që do t'i përcaktojnë kahet e ecjes të saj. Nuk e ka të zgjidhur statusin dhe për këtë arsye nuk mund të vendosë vetëm vetë. Politikanët dhe partitë nuk duhet të harrojnë se Kosovës dhe kosovarëve u mungon gjithçka ose shumëçka dhe se me pasojat e luftës do të ballafaqohen për shumë vjet.

Qasjet e maturisë edhe gjatë vrapit për vota janë të preferueshme ose të domosdoshme, jo pse ndonjë parti ose lider, për shkak të premtimeve të tepruara, më vonë mund të digjet, por, në radhë të parë që të mos krijohen iluzione dhe pasqyra të rrejshme për mundësitë e zgjidhjes së shpejtë të problemeve. Si popull pa traditë demokratike që njëherësh nuk kultivon qëndrime kritike publike, shqiptarët janë të prirur t'i pranojnë iluzionet si rrugë për të mos u ballafaquar me realitetin e hidhur. Kjo është si dëshira për të fjetur derisa është keq dhe për t'u zgjuar kur të bëhet më mirë.

Në radhët e shqiptarëve nuk bën më të mbillen iluzione të tilla, pasi, dikur, këto mund të bëhen shkaktarë të tronditjeve të mëdha shoqërore. Ndoshta mund të thuhet se është koha e fundit që politikanët dhe partitë e tyre të angazhohen që ballafaqimi me realitetin dhe të vërtetën të jetë sa më racional dhe me sa më pak tronditje. Ndërkombëtarët, donatorët dhe të tjerët do të ndihmojnë. Por, në të ardhmen ndihma do të jetë kurdoherë e më shumë ndihmë për ta lehtësuar barrën e rëndë të kosovarëve për t'i zgjidhur pakëz më shpejt dhe më lehtë problemet e veta. Askush nuk duhet të ketë iluzione se ndihma do të jetë diçka më shumë se kaq.

Në fushatën e deritashme paraelektorale të gjitha premtimet e veta politikanët i mbështesin në donacione të huaja, madje edhe për ringjalljen e disa potencialeve të dikurshme që ndoshta kanë perspektivë edhe sot, por kanë qenë prona shtetërore ose publike. Derisa të mos zgjidhet statusi i tyre pronësor, e UNMIK-u, tash për tash, nuk llogarit se do ta zgjidhë këtë çështje, është fare e paarsyeshme të priten donacione ose investime të huaja. Pse politikanët dhe aktivistët partiakë nuk flasin ose ndonjëri e përmend vetëm kalimthi çështjen e tatimeve dhe të taksave lokale? Mund të supozohet se kanë frikë nga reagimet e elektoratit që mund të shprehet në dhënien e votës atyre që nuk iritojnë me obligimet e taksave dhe të tatimeve. Por, këto, bashkë me obligimet e llojeve tjera të qytetarëve dhe të biznesit, në shtetet demokratike janë aspekti më i rëndësishëm i garave paraelektorale.

Në Kosovë vetëm sa ka filluar ose pritet së shpejti të fillojë mbledhja e tatimeve dhe e taksave nga të gjitha llojet e aktiviteteve ekonomike. Për shpenzimet e përbashkëta, kosovarët disi automatikisht mendojnë se ato janë barrë dhe përgjegjësi e të tjerëve. Këto janë gabime të rënda dhe mashtrime të mëdha. Se çfarë do të jenë arsimi, shëndetësia, mbrojtja sociale, shërbimet tjera të ndryshme, kurdoherë e më shumë do të varet prej tatimpaguesve kosovarë. Por, në ethet e investimit në çfarëdo lloj objektesh nga fushat e shërbimeve, në tregëti të imët dhe në ndërtime gjithëfarëshe, të gjithë, duke përfshirë edhe qytetarët që do të mund të kenë obligime të tilla, do të mbesin pa frymë kur drejtpërdrejt të ballafaqohen me faktin se ose do t'i paguajnë vetë ose do të detyrohen t'i paguajnë tatimet dhe taksat, kuptohet edhe obligimet për shërbimet e shumta komunale. Tashmë flitet se së shpejti shëndetësia mund të kalojë në përgjegjësi të plotë kosovare. Doni të vendosni dhe të udhëheqni vetë? Urdhëroni. Por, duhet edhe të paguani.

Krijohet përshtypja se kandidatët për pushtetin lokal kanë fare pak njohuri ose aspak për autorizimet dhe për problemet e konstituimit të pushtetit lokal. Partitë dhe liderët e tyre nuk e kanë thënë ende asnjë fjalë se të gjithë, së bashku me UNMIK-un, paraprakisht duhet ta përfundojnë procesin e rëndë të formimit dhe të kompletimit sipas standardeve të larta të aparateve dhe të shërbimeve të pushtetit lokal. Ky është parakusht për t'ua dhënë pushtetin përfaqësuesve lokalë. Por, edhe atëherë mbeten të drejtat për intervenim të kryeadministratorit të Kosovës dhe të administratorëve rajonalë dhe komunalë në të gjitha rastet kur intervenimi vlerësohet i nevojshëm. Përveç tjerash, kjo do të thotë se politikanët dhe partitë nuk kanë arsye të mëdha për ngritjen e vazhdueshme të tensioneve, e aq më pak për nxitjen e cytjeve kundër njëri- tjetrit. Kuptohet, askush nuk mund ta mohojë rëndësinë e zgjedhjes legale të përfaqësuesve të pushtetit, qoftë edhe të nivelit komunal. Do të mësohet për herë të parë në periudhën e sistemit shumëpartiak se cila parti është më e forta në Kosovë. Nga kjo pastaj do të krijohen fakte të reja që, në krahasim me tash, do të imponojnë ndryshime në angazhimin e forcave politike kosovare në strukturat unike të pushtetit të UNMIK-ut në nivel lokal dhe të Kosovës. Madje, mund të bëhen ndryshime edhe në pikëpamje të zgjerimit të autorizimeve të forcave lokale për të vendosur për çështje të ndryshme të punës dhe të jetës. Prandaj, përsërisim edhe një herë në fund, nuk është mirë që politikanët dhe partitë nuk mendojnë ende për përgjegjësinë, edhe pse kjo nuk do të jetë patate e nxehtë, por prush i vërtetë në duart e fituesve të zgjedhjeve.

AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI