Fushatë motone nën hijen e të mëdhenjve
Prishtinë, 18.10.2000
Më pak se dy javë kanë mbetur deri në ditën kur kosovarët do të gjenden para kutive elektorale dhe do të votojnë për zgjedhjen e organeve të pushtetit komunal. Siç dihet, serbët, që masivisht votuan në zgjedhjet e Beogradit, madje për Milosheviqin dhe partinë e tij sunduese, nuk do të marrin pjesë fare në zgjedhjet kosovare. Pjesërisht, zgjedhjet ndoshta do t'i bojkotojnë edhe turqit. Të gjithë këta mund të përbëjnë vetëm 5-6 për qind të popullsisë së gjithëmbarshme të Kosovës. Të gjithë të tjerët do të dalin në zgjedhje dhe pritet që pjesëmarrja të jetë masive, në qoftë se nuk do të ketë probleme me listat e regjistrimit të votuesve.
Fushata paraelektorale posa hyri në fazën e saj përfundimtare. Kanë mbetur edhe gati dhjetë ditë, por fitohet përshtypja se njerëzit qysh tash janë lodhur nga fjalimet dhe premtimet e ngjashme ose identike të udhëhqësve dhe të aktivistëve partiakë. Vazhdimi i fushatës edhe për gati dy javë duket si një stazë e pafund maratonike. Por, favoritëve dhe më ambiciozëve nuk u duket ashtu. Të dobëtit, që zakonisht janë edhe varfanjakë, mezi dëgjohen dhe nuk mund të pritet që ata të bëjnë farë kthese dhe ta bëjnë edhe më të madhe zhurmën e karnevalit paraelektoral. Ata sikur janë pajtuar me rolin dytësor në fushatë dhe në zgjedhje, kuptohet edhe në organet e pushtetit të ardhshëm komunal.
Favoritët kryesorë, Lidhja Demokratike e Kosovës e Ibrahim Rugovës dhe Partia Demokratike e Kosovës e Hashim Thaçit, që ende ndiqen me sukses nga partitë e ish komandantëve ambiciozë të UÇK-së, Ramush Haradinaj dhe Naim Maloku, sidomos nga ky i pari, duket sikur qysh më heret kanë mbledhur kondicion (edhe para) për një vrapim të gjatë. Pas nxehjes fillestare thaçistët dhe rugovistët vlerësojnë se posa kanë nisur ti vënë në lëvizje të gjitha pjesët e organizmit të tyre. Ata me liderët e tyre i japin ton dhe ngjyrë fushatës paraelektorale. Thaçi është gati gjithkund i pranishëm në terren. Duket se përpiqet të bëjë fushatë në stilin e politikanëve perëndimorë. E kundërta ngjan me Rugovën. Ai ende nuk ka dalë nga Prishtina. Është shumë e dukshme se ai personalisht dhe njerëzit rreth tij shumë llogarisin në imazhin dhe kultin e liderit të të gjithë popullit të formuar gjatë dhjetë vjetëve të kaluara. Kjo shkon shumë te shqiptarët, sidomos te masat e gjera të mentalitetit rural, pa marrë parasysh se a jetojnë në fshat apo në qytet, pohojnë kundërshtarët e tij politikë. Edhe pse premtojnë shumë për të ardhmen, në realitet edhe gjatë kësaj fushate ata e vazhdojnë luftën për primat mbi trashëgiminë që u krijua gjatë konfrontimeve shqiptaro-serbe në dhjetë vitet e kaluara. Rugova i referohet rezistencës paqësore gati dhjetëvjeçare kur, siç thotë, në rrethana të pushtimit u vendos sistemi demokratik në Kosovë. Thaçi i referohet organizimit të luftës çlirimtare që për një vit e gjysmë e udhëhoqi UÇK-ja. Pikërisht sakrificat e luftës, insiston Thaçi, e ndryshuan nga themeli gjendjen në Kosovë. Thaçi duket më këmbëngulës dhe më i zëshëm, Rugova nuk duket aq i zëshëm, por të gjitha partitë dhe politikanët shqiptarë insistojnë në pavarësinë e Kosovës. Nga 20 parti dhe koalicine që konkurrojnë për vota, tempon e imponuar nga LDK-ja dhe PDK-ja, tash për tash, me sukses po e durojnë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt dhe Partia Qendra Liberale e Kosovës e Naim Malokut. Për nga gjerësia dhe intensiteti i fushatës, madje duket sikur Aleanca është në nivel të njëjtë me dy më të mëdhenjtë. Kosovarët do të kishin shumë dobi po qe se Haradinaj dhe Maloku arrijnë të bëhen faktorë që nuk do të mund të anashkaloheshin në të ardhshmen, pohojnë gati njëzëri analistët politikë të këtushëm. Sipas tyre, ata janë shpresa e vetme që shqiptarët t'i shmangen mallkimit të ndarjes së ashpër bipolare politike.
Në kohën e përgatitjes dhe të fillimit, fushata paraelektorale në Kosovë në shumë anë pritej me frikë të madhe. Madje, edhe vetë krerët e UNMIK-ut dhe të KFOR-it parashikuan atëherë dhunë më të madhe. Për fatin e mirë të të gjithë kosovarëve, kuptohet, me këtë janë të kënaqur edhe ndërkombëtarët, deri tash parashikimet e tilla nuk u vërtetuan në praktikë. Një lehtësi e madhe është se nuk ka pasur asnjë vrasje që mund të lidhet me fushatën paraelektorale dhe me zgjedhjet. Përkundër nervozës së dukshme, të shtuar pjesërisht nga aktiviteti garues për të fituar sa më shumë vota, deri tash, fushata paraelektorale pati një rrjedhë që për kushtet e Kosovës mund të jetë e kënaqshme ose e pranueshme. Duhet të thuhet se për shumëkë kjo është një kënaqësi e papritur, por deri në votime duhet të përfundojnë edhe dy javët e ardhshme të vrapeve paraelektorale.
Incidenti më i madh është shënuar në Lypian. Atje u ndërpre mbledhja promovuese e LDK-së, pasi, thonë aktivistët e LDK-së, njerëz të PDK-së gjuajtën mbi të tubuarit vezë, domate, gurë dhe shishe. Udhëheqësit lokalë të PDK-së e dënojnë dhunën dhe nuk e mohojnë atë që ka ngjarë, por thonë se ishin të provokuar rëndë nga aktivistët dhe simpatizantët e LDK-së, që kishin "grisur posterët dhe pllakatet e PDK-së, kishin fshirë grafitet UÇK dhe PDK dhe kishin kërkuar që UÇK-ja të dërgohet në Gjyqin e Hagës". Atje pati edhe disa qërime fizike të hesapeve ndërmjet simpatizantëve të Rugovës dhe të Thaçit.
Pikërisht për këtë arsye KQZ pranë OSBE-së ka marrë vendimin për dënimin e PDK me heqjen e njërit nga dhjetë kandidatët e parë nga lista e kësaj partie për komunën e Lypianit. Për këso dhe arsye të tjera janë shqiptuar edhe ndëshkime të ndryshme në të holla të disa partive, kurse në procedurë "të hetimit" janë edhe disa parregullsi të tjera. Ndërkaq, ndëshkimet mund të shkojnë deri te heqja e pjesshme e kandidatëve nga lista, heqja e gjithë listës në një apo disa komuna dhe ndalimi i gjithë partisë për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Zënka të ndryshme ka edhe në vise të tjera të Kosovës. Por, nuk mund të thuhet që të gjitha të kenë motive paraelektorale.
Fitohet përshtypja se tash për tash forma kryesore të konfrontimeve të palejueshme janë grisja e pllakateve dhe e posterëve dhe shkruarja e grafiteve kundër liderit dhe partisë rivale. Këtë e bëjnë grupe të posaçme simpatizantësh dhe fëmijët të cilët, siç pohohet edhe në shtypin e këtushëm, janë keqpërdorur në përmasa tejet shqetësuese.
Në shumë raste është ndërprerë mësimi dhe fëmijët janë përdorur edhe për të brohoritur parulla në favor të partisë që organizon tubimin dhe të liderit të saj ose kundër rivalëve dhe për të krijuar përshtypje për masivitetin e tubimeve. Më së shpeshti është akuzuar LDK. Mirëpo, rasti më i fundit në Shtimje, sipas pohimeve të policisë ndërkombëtare, fëmijët e moshës prej 9 deri 12 vjeç janë përdorur për të penguar tubimin e LDK-së, duke gjuajtur të tubuarit me vezë, etj. Policia ka përdorur shufrat e gomës, madje edhe gazin lotsjellës, për ta shpërndarë turmën, por edhe i ka burgosur 5 pjesëtarë të PDK-së, të cilët e kanë penguar policinë në ushtrimin e detyrës. Suzan Manuel, zëdhënëse e Misionit Civil, ka reaguar në emër të UNMIK-ut, duke e vlerësuar si të qetë fushatën elektorale të gjertanishme, por edhe duke shprehur shpresën se OSBE do të ndërmarrë shumë shpejt masa ndëshkuese lidhur me këtë dhe incidente të ngjashme.
AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI