Koshtunica: dyshime në Prishtinë

Pristina Oct 13, 2000

Prishtinë, 11.10.2000.

Duket paradoksale, por shumë nga shqiptarët e Kosovës do të dëshironin që lideri shumëvjeçar serb dhe "armiku i tyre numër një", Sllobodan Millosheviq, të vazhdonte të qëndronte ulur në "fronin" e Serbisë. Po t'i pyesësh, ata nuk mund ta thonë qartë nëse kjo "dëshirë" e tyre lidhet me pohimet e politikanëve perëndimorë se "vazhdimi i epokës së Millosheviqit e bën më të afërt pavarësinë e Kosovës", apo ndoshta thjesht do ta dëshironin atë si një "dënim" për vetë Serbinë për tërë atë që ka ndodhur në Kosovë.

Sidoqoftë, në ditën kur në Beograd "ndodhi populli", rrugët e Prishtinës ishin të zbrazura sikurse në ditët më të nxehta të kampionatit evropian të futbollit. Me antenat satelitore të kurdisura drejt kanaleve televizive më të mëdha botërore, shqiptarët përcollën "rrëzimin" e diktaturës së fundit në Evropë dhe, të mësuar të shohin me mosbesim çdo gjë që ndodh në dhe përreth Serbisë, menjëherë dyshuan se "atje po bëhej një lojë e madhe". Shqetësimi i tyre ishte i jashtëzakonshëm. Rreth një mijë shqiptarë ndodhen në burgjet gjithandej Serbisë dhe këtu njerëzit ishin të frikësuar se pikërisht ata mund të ishin viktimat kryesore të "qërimit të hesapeve" ndërmjet strukturave të vjetra e të reja serbe.

Gjërat ndërkaq lëvizën aq shpejt sa shqiptarët gati mbetën të hutuar para situatës së re. "Diktatori serb, kreatori i politikës së spastrimit etnik gjithandej nëpër ish Jugosllavinë, autori i katër luftërave të egra në Ballkan, i akuzuari për krime lufte në Kosovë...", ra pas disa orë protestash nëpër rrugët e Beogradit. Bota u ngrit në këmbë e "entuziazmuar" për fitoren e "demokracisë". Shumë deklarata të politikanëve perëndimorë, të cilët jo rrallë të "ekzaltuar" përshëndetën rënien e Millosheviqit, gati i lanë pa mend shqiptarët e Kosovës, të cilët, dorën në zemër, pas bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë dhe hyrjes së forcave paqeruajtëse, sikur mendonin se "bota tashmë po sillet rreth tyre...". Ata për disa javë e madje disa muaj me radhë kishin dëgjuar vlerësimet e liderëve botërorë se "zgjedhjet jugosllave janë një farsë, jolegjitime dhe jodemokratike". Ndërsa tani po dëgjonin për fitoren e popullit serb, madje edhe vlerësime se në Serbi "ndodhi revolucioni popullor në krye me demokratin Vojisllav Koshtunica..." Dhe derisa bota po shihte "ndryshimin e madh në Beograd, shqiptarët thanë fillimisht se kjo s'është veçse një "ndërrim kuadrosh". Diktatori Millosheviq që kishte shfrytëzuar maksimalisht nacionalizmin serb u zëvendësua me nacionalistin Koshtunica. Gazetat e këtushme njëra pas tjetrës botuan forografitë e zotit Koshtunica duke pozuar me "kallashnjikof" në dorë, ndërsa fotot përcilleshin nga legjendat se këto ishin pamje të qëndrimit të tij në Kosovë gjatë luftës më 1998, kur ai kishte vizituar grupet famëkeqe paramilitare. Dhe nëse këto fotografi nuk e "ndryshuan" disponimin ndërkombëtar, shqiptarëve ua shtuan shqetësimin. Plitikanët e tyre, që më parë kishin deklaruar se "zgjedhjet jugosllave as që u interesonin", sikur filluan të zgjohen dhe të kuptojnë se "ato madje janë shumë të rëndësishme dhe me interes edhe për ta". Opinioni i hutuar shqiptar kërkonte përgjigje. Çfarë do të ndodhë tani me Kosovën? A do të zhvendoset vëmendja në Beograd dhe së fundi a do të thotë kjo largim nga pavarësia e Kosovës?...

Lideri i moderuar shqiptar, Ibrahim Rugova, tha se i gëzohet çdo ndryshimi demokratik në rajon, prandaj "përshëndesim edhe ndryshimet demokratike në Serbi". Ai kërkoi që pushteti i ri në Beograd të japë shenja të diferencimit nga regjimi i Millosheviqit duke i liruar të burgosurit, duke dhënë informacione për disa mijëra të zhdukur, si dhe duke i dorëzuar kriminelët e luftës në Gjykatën e Hagës. Njëkohësisht ai i siguroi bashkëkombësit e tij se "do të vazhdohet rruga drejt pavarësimit të Kosovës". Partia rivale e tij që udhëhiqet nga ish lideri politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, kumtoi se "fati i Kosovës është i ndarë nga ai i Serbisë dhe se shqiptarët i gëzohen çdo ndryshimi demokratik në vendet e rajonit". Përfaqësuesit e saj thanë se zoti Koshtunica ka qëndrim tërësisht të ngjashëm me Millosheviqin sa i përket çështjes së Kosovës, prandaj edhe nuk besojnë "në ndryshime pozitive në Serbi..." Edhe forcat tjera politike përcollën mesazhe e prononcime të ngjashme dhe shumë të rezervuara, të cilat ia parashtruan edhe administratorit të Kombeve të Bashkuara, Bernard Kouchner, për t'ua përcjellë shefave të diplomacive të vendeve të Bashkimit Evropian. Dhe ky i fundit i përcolli ato besnikërisht (cinikët thanë madje edhe më mirë se të ishin vetë shqiptarët), por pa ndonjë dobi. Ndonëse e dinin tashmë pothuajse me siguri se çfarë do të ndodhte në Luksemburg, shqiptarët mbetën të zhgënjyer, gati të fyer, nga vendimi i ministrave të jashtëm për t'i hequr sanksionet ndaj Beogradit. Ata kishin shpresuar se të paktën kjo çështje do të kushtëzohej me lirimin e shqiptarëve nga burgjet serbe.

Mirëpo, ajo që gjer tani është quajtur si politika e "shkopit dhe e karrotës" u përmbys nga ministrat evropianë. Ata e shpërblyen haptazi Beogradin, ndërsa për kundërvlerën thanë se do të bisedohej pastaj. Reaksionet në Kosovë ishin të rrepta. Asociacionet humanitare shqiptare kanë paralajmëruar protesta masive për lirimin e të burgosurve, ndërsa liderët politikë thanë se vendimi i evropianëve ishte një vendim i ngutshëm dhe zhgënjyes. Të mësuar të jenë të kujdesshëm në raport me Beogradin pavarësisht se kush udhëheq atje, diplomatët perëndimorë liderëve shqiptarë nganjëherë u duken si "tepër mendjelehtë". Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se "edhe në rast se heqja e sanksioneve bëhet për çështje humanitare, për të ndihmuar popullin serb, atëherë do të duhej të ishte e qartë për evropianët se nuk ka punë më njerëzore se sa lirimi i pengjeve dhe ndriçimi i fatit të disa mijëra të zhdukur". Ai thotë se nuk do të kishte asgjë kundër që pas kësaj t'i shtohen ndihmat popullit serb, meqenëse "ndryshimet në Serbi megjithatë janë pozitive", tha Haradinaj duke shtuar se "askush nuk mund të jetë më i keq se Millosheviqi". Bashkëmendimtarët e tij pohojnë se këto ndryshime megjithatë do të zbehin fuqinë e strukturave të Millosheviqit. Prapëseprapë, Koshtunica për shqiptarët paraqet vazhdimësi të qëndrimeve të liderëve politikë serbë ndaj Kosovës. Sikur të ngutej për të vërtetuar një gjë të tillë, ai shprehu zëshëm angazhimin e tij për "kthimin e sovranitetit serb mbi Kosovën", si dhe me refuzimin që t'i amnistojë të burgosurit shqiptarë, duke e konsideruar këtë si një çështje politike, madje edhe përkundër kërkesave edhe të institucioneve të tilla siç është Fondi për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd.

Sido që të jetë, ndryshimet në Serbi duket se liderët shqiptarë i gjetën të papërgatitur. Këto ndryshime ata i gjetën në mes të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet komunale të 28 tetorit, gjatë së cilës ata kanë bërë garë se kush do të premtojë më zëshëm pavarësimin e shpejtë të Kosovës, ndonëse në këto zgjedhje ata do të kandidojnë dhe zgjedhin vetëm kryetarët e komunave, të cilët zor se mund të sigurojnë njohje ndërkombëtare!

Në mes të këtyre premtimeve atyre u ra si një bombë paralajmërimi i administratorit Kouchner se "do të mund të fillonte bisedimet me autoritetet e reja në Beograd për realizimin e autonomisë substanciale për Kosovën..." Nëse ky synim është përkufizuar në "biblën" e Kouchnerit, siç e quan ai Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për shqiptarët ai është një formulim tashmë i vjetëruar dhe i dalë boje bazuar në realitetet e reja të krijuara në Kosovë. Ata thonë se çfarëdo bisedimesh të shefit të Misionit Civil me autoritetet në Beograd duhet të jenë të përgatitura mirë dhe me kujdes. Kouchner, sipas tyre, ka mandat të bisedojë për çështje të interesit të dyanshëm, por ai nuk ka mandat të bisedojë për statusin final të Kosovës. Këtë çështje, thonë ata, mund ta vendosë vetëm populli i Kosovës, i cili është përcaktuar për ndërtimin e pavarësisë. Çdo alternativë tjetër do të shoshte në luftë e re...

Mirëpo, në Prishtinë ka edhe qëndrime deri diku tjetërfare rreth natyrës dhe implikimeve të mundshme të ndryshimeve aktuale në Beograd. Kështu, për shembull, Veton Surroi shtron pikëpamjet që janë karakteristike për qarqet më liberale në Kosovë, të cilat janë të mendimit se largimi i Millosheviqit nga pushteti përfaqëson hapin e parë në rrugën drejt demokratizimit të Serbisë dhe përgjithësisht të shtensionimit në regjion. Ata theksojnë nevojën për denacifikimin e shoqërisë serbe, nevojën e ballafaqimit të shoqërisë serbe me përgjegjësinë kolektive për shkak të mbështetjes gati plebishitare për Millosheviqin në zhvillimin e luftërave dhjetëvjeçare (si një argument shtesë për këtë ata përmendin edhe thirrjet e demonstruesve nëpër rrugët e Beogradit drejtuar policisë serbe: "Ustashë, ustashë" dhe "Shkoni në Kosovë"), si dhe përcaktimin e fajit individual për të gjithë ata që kanë kryer krime lufte në territorin e ish Jugosllavisë. Megjithatë, zhvillimin e mundshëm të ngjarjeve dhe marrëdhënieve e shohin në kuadër të garës demokratike të presupozuar të të gjithë akterëve në regjion, te hapja dhe bashkëpunimi i ndërsjellë (edhe nëpërmjet projekteve konkrete në kuadër të Paktit të Stabilitetit), si dhe të adoptimit të standardeve demokratike të sjelljes politike dhe zgjidhjes së problemeve të hapura me negociata.

AIM Prishtinë, Besnik BALA