Koncesione për rigjallërimin ekonomik
Prishtinë, 5.10.2000.
Prof. Dr. Musa Limani, tani ish-bashkëkryetar i Departamentit për Tregti dhe Industri pranë Këshillit të Përkohshëm Administrativ të Kosovës, ishte i mendimit se dhënia e koncesioneve për objektet industriale dhe të minierave nuk është zgjidhja më e mirë. "Po ngecim në transformimin e pronës, mirëpo ne nuk kemi aq kapitale që do të na e bënin të mundur riaktivizimin e tërë industrisë dhe metalurgjisë. Për këtë arsye dhënia e koncesioneve, nën kushte sa më të volitshme për ne, ndoshta për momentin është, megjithatë, zgjidhja më e mirë", thotë dr.Limani, i cili për shkak të presioneve partiake para dy javësh qe i detyruar të japë dorëheqje në administratën nën kontrollin e UNMIK-ut. Me rastin e hapjes së çështjes së tendereve për çimentoren dhe prodhuesin më të madh të materialit ndërtimor në Kosovë - "Sharri" në Han të Elezit, reagimet ishin mjaft të ashpra.
Z. Jakup Krasniqi, ministër për rindërtim në ish Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, në një proncim publik asohere pati bërë me dije se do ta kundërshtojë me këmbëngulje një mënyrë të tillë të aktivizimit të kapaciteteve prodhuese. "Dëshirojnë të na shndërrojnë në koloni. Ata dëshirojnë që nëpërmjet kësaj forme t'i lidhin me korporata për të cilat ekziston dyshimi se bashkëpunojnë me Serbinë, ose që kompanitë kosovare t'i marrin ata që gjatë gjithë kohës kanë bashkëpunuar me Serbinë", deklaronte me nervozë ish-ministri, ndërsa tani sekretar i përgjithshëm i subjektit politik që ushqen aspirata për ta marrë pushtetin në Kosovë, Partisë Demokratike të Kosovës që e udhëheq Hashim Thaçi. Reagimi i zotëri Krasniqit ishte i nxituar dhe emotiv. Pozicioni i tij ishte më tepër pozicion i një revolucionari dhe nuk mbështetej shumë në realitetin kosovar. Në këtë sens është me interes të theksohet që me rastin e shpalljes së tenderit për Çimentoren, që u bë dy tre muaj pas kësaj deklarate të Krasniqit, të gjithë duartrokitën dhe nuk kishte gati as edhe një vërejtje të vetme.
UNMIK-u duket se nuk është i përgatitur të hyjë në një proces tepër të gjatë dhe të vështirë të transformimit pronësor, megjithëse kosovarët e kërkojnë me këmbëngulje. Problemi nuk qëndron te mungesa e parave ose e një strategjie, por kjo është shtruar dhe definuar si një çështje politike, respektivisht çështje që duhet të fillojë dhe të mbarojë nëpërmjet institucioneve shtetërore, të cilat në Kosovë janë ende të padefinuara dhe ende inekzistente.
"Për momentin, çështja e pronësisë do të lihet mënjanë. Ne po krijojmë kushte që njerëzit të punojnë", deklaronin pranë UNMIK-ut me rastin e dhënies së koncesioneve për Çimentoren, si dhe me rastin e publikimit të hapave të mëtejmë që do të ndërmerren me qëllim të riaktivizimit të kapaciteteve të "Trepçës".
Koncesionet mund të jenë njëfarë zgjidhjeje për Kosovën, mirëpo kjo nuk është edhe zgjidhja më fatlume. "Mungesa e ligjeve sistemore e pengon rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës. Merreni me mend, ne nuk kemi madje as një ligj apo rregullore për dhënien e koncesioneve, ndërsa shumë objekte jepen për shfrytëzim në këtë formë", tërheq vërejtjen dr. Musa Limani.
"Pa marrë në konsideratë faktin që mendohet se administrata ndërkombëtare në Kosovë është e përkohshme, ndërsa koncesionet jepen për një dhjetëvjetësh ose më shumë, kompanitë e huaja e kanë gjetur interesin e tyre edhe në këso rrethanash. Ato janë të bindura se në një periudhë fare të shkurtër do të krijohet ambienti juridik dhe politik në të cilin kapitali i angazhuar do të jetë i sigurt dhe profitabil", pohonte Xholi Dikson - i vetmi person pranë UNMIK-ut që kërkonte reforma sa më radikale në ekonomi. Tani çimentoren e Hanit të Elezit e menaxhon "Holder Bank" nga Zvicra. Ajo ka ofruar kushte më të mira për marrjen me koncesion të prodhuesit të vetëm të çimentos në Kosovë.
Prodhimi i çimentos në Kosovë ka filluar 65 vjet më parë. Edhe pse çimentorja e re e ka filluar punën diç më shumë se dy decenie, ajo prapëseprapë është e amortizuar dhe pothuaj nuk është në gjendje të prodhojë 400 mijë tonë çimento për vit sa i ka kapacitetet e projektuara. Për këtë arsye rindërtimi i Kosovës po realizohet kryesisht me importin e çimentos nga Maqedonia, Greqia dhe Bullgaria.
"Holder Bank", bazuar në kushtet e përcaktuara me tender, do të shfrytëzojë këtë fabrikë në periudhën prej dhjetë vjetësh, dhe ajo është obliguar që në Kosovë të fusë 2 milionë dollarë, pjesa më e madhe e të cilave do të angazhohet për investime", thotë ing. Nazmi Suma, drejtor i kësaj kompanie dhe anëtar i Komitetit për tenderet.
Në çimentore ende nuk ka filluar prodhimi. Ajo e ka humbur një sezon të rindërtimit dhe ndërtimit. Mirëpo, janë dhënë premtime se vitin e ardhshëm do të startojë me fuqinë më të madhe prodhuese. "Holder Bank" e ka gjetur interesin e vet, sepse përveç obligimeve që rrjedhin nga politika fiskale e udhëhequr në Kosovë, ajo nuk ka obligime të tjera, madje as rreth shfrytëzimit të resurseve natyrore.
Mirëpo, lidhur me fabrikën "Ferronikel" ka ca elemtente të reja më përmbajtësore dhe me interes më të madh për Kosovën. Kritere të seleksionimit për tenderin e "Ferronikelit" janë: investime në lartësinë prej 45 për qind, mbrojtja në punë 20 për qind, çmimi i qerasë dhe faturave të tjera 20 për qind, mbrojtja e ambientit 10 për qind dhe përvoja në regjion 5 për qind. "Investitorëve do t'u sugjerojmë që ta kompensojnë çdo tonelatë të vehes së eksploatuar. Kompensimi do të realizohet në bazë të sasisë së prodhuar të nikelit", thotë David Spira nga Departamenti për Tregti dhe Industri. Deri në fillim të vitit të ardhshëm do të dihet se cilës kompani do t'i jepen koncesionet mbi "Ferronikelin" në Gllogovc. Mirëpo, për momentin e ivetmi prodhues i këtij metali në këtë pjesë të Ballkanit ofron përparësi të shumta. Çmimi i nikelit në bursë është në rritje të vazhdueshme dhe ai do të varet nga oferta që do vijë nga Rusia, si prodhuesi më i madh i nikelit në Evropë. Njëkohësisht, objektet e fabrikës janë në gjendje të mirë, përkundër luftës dhe faktit se atje një kohë të gjatë ishte e përqendruar makineria ushtarake serbe, ndërsa të dy xeheroret, ajo në Golesh dhe tjetra në Çikatovë, kanë rezerva të xehes në një sasi prej 17.5 milionë tona, që është e mjaftueshme për prodhimin në një periudhë prej 20 vjetësh dhe pa kurrfarë nevojash për komponentë nga importi.
"Mendojmë se ka mjaft rezerva për periudhën e dhënies së koncesionit, por jo edhe shumë më gjatë se aq", thotë Spira. UNMIK-u i ka saktësuar kriteret e zgjedhjes së ofertës më të mirë të dhënies së koncesioneve për "Ferronikelin". Sipas UNMIK-ut oferta më e mirë do të jetë ajo që do t'u kushtojë rëndësi më së shumti investimeve, pastaj punëtorëve, qerasë dhe obligimeve të tjera financiare, ndërsa në fund të prioriteteve UNMIK-u përmend edhe ambientin jetësor si dhe përvojën e punës në regjion.
Ndryshe nga tenderi i parë, këtu është paraparë edhe mundësia që investitori të paguajë edhe për pasuritë natyrore. Pagesa do të jetë në pajtim me sasinë e prodhimit. "Holder Bank", e cila e ka marrë koncesionin për çimentoren në Han të Elezit nuk bart shpenzime shtesë për shfrytëzimin e lëndës së parë. Futja e kësaj pike në tenderin e dytë është e një rëndësie të veçantë për "Ferronikelin" dhe për industrinë kosovare. Ekspertët ndërkombëtarë pranë UNMIK-ut theksojnë se rëndësia e këtij transaksioni nuk qëndron vetëm te profiti për buxhetin e konsoliduar të Kosovës, por me të do të ndihmohet në forma të ndryshme e gjithë ekonomia kosovare. "Me këtë do të aktivizohet një segment i elektroekonomisë, siç është prodhimi i energjisë elektrike dhe i gazit, por edhe infrastruktura, rrugët dhe hekurudhat të nevojshme për transportin e produktit final ose të xehes", shpjegon z. Spira.
Megjithatë, ekspertët kosovarë shtrojnë pyetjen - a është dhënia e koncesioneve e vetmja formë e mundshme për aktivizimin e kapaciteteve prodhuese dhe angazhimin e kapitalit të huaj? Duket se përgjigjja është pozitive, duke patur parasysh se problemi politik i Kosovës, d.m.th. statusit të saj, i kufizon mundësitë për forma të tjera të bashkëpunimit. Nga ana tjetër, rreth këtyre çështjeve duket se kosovarët as që do t'i pyesin fare. Këtë e dëshmojnë edhe këto dy raste: drejtuesit e Çimentores për tenderin kanë mësuar nga një mik i tyre afarist në Zvicër, respektivisht nga njerëz në "Holder Bank", të cilëve më vonë edhe u është dhënë koncesioni; ndërsa për "Ferronikelin" janë bërë dy elaborate. Njërin e ka bërë stafi lokal dhe për nevoja interne, ndërsa të dytin një ekip ndërkombëtar. Stafi lokal nuk ka patur kurrfarë informacionesh se të njëjtën gjë e bëjnë edhe përfaqësuesit e administratës ndërkombëtare...
AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI