Kryetar i kujt është Koshtunica

Podgorica Oct 10, 2000

Rrënimi i bastionit të fundit diktatorial në Evropë e përshëndetën të gjithë forcat demokratike në Malin e Zi, por tërhoqën edhe vërejtjen se kryetari i ri i RFJ-së nuk ka legjitimitet në anëtaren e vogël të Federatës.

AIM Podgorica 05.10.2000

Rrëzimi i Sllobodan Millosheviqit u përcoll në opinionin politik të Malit të Zi, ashtu siç mund edhe të pritej, me një lehtësim të pafshehur, por kryesisht edhe me qëndrim të përmbajtur kundrejt kryetarit të ri të RFJ-së, Voisllav Koshtunicës, i cili që ngaherë nuk gëzon shumë simpati në Mal të Zi. Qytetarët e Sërbisë dhe elita opozitare serbe shënuan një arritje të madhe me fitoren ndaj bastionit të fundit diktatorial në Evropë, i cili u solli shumë të këqija të gjithëve në rajon, e më shumë popullit serb - është ky vlerësimi i vetëm i forcave demokratike në Mal të Zi. Megjithatë, ata paralajmërojnë se ky është vetëm hapi i parë në transformimin demokratik të Serbisë, e cila i ka dhënë shtytje energjisë politike dhe ka formuar masën kritike për ditën kur “foli shpirti liridashës i popullit të tij”. Kënaqësi të veçantë shprehet pse policia dhe ushtria jugosllave refuzoi dëgjueshmërinë ndaj pushtetit gjatë protestave masovike në Beograd.

  • Mali i Zi demokratik sot, si gjithë bota demokratike, sërish sheh Serbinë e lirë. Besoj se me fitoren e merituar të politikës demokratike në Beograd hapet gjasa për vendosjen e marrëdhënieve të reja dhe të shëndosha mes Malit të Zi dhe Serbisë dhe se kjo do të sjell perspektivën demokratike në gjithë rajonin, deklaroi kryetari malazez, Millo Gjukanoviç për agjencinë e Podgoricës Montena-fax në mbrëmje të 5 tetorit.

Kryetari i Qeverisë së Malit të Zi, Filip Vujanoviç vlerësoi protestat në Beograd si reaksione të pritura të qytetarëve, shkaku, siç tha ai, vjedhjes së vullnetit të votuesve të Serbisë në zgjedhjet për kryetar të shtetit federal. Duke potencuar se Voisllav Koshtunicës fitoren ia grabitën Komisioni Shtetëror Zgjedhor dhe Gjykata Federale Kushtetuese, Vujanoviqi në deklaratën për BBC-në tha:

“Mendoj se për shkak të ngjarjeve në Serbi nuk do të vijë deri te thellimi i krizës në Mal të Zi, sepse në të raportet politike janë stabile. Besoj se një pjesë e Partisë Popullore Socialiste, që është përcaktuar për paqe, demokraci dhe zhvillim të Malit të Zi, përfundimisht do të tregojë se ka forcë dhe kapacitet që të zgjedh për atë që deklarativisht tashmë pohon një kohë të gjatë dhe do të gjejë mënyrë që të distancohet nga blloku i Beogradit, i cili e ka lidhur fatin e vet politik për rrënimin e Millosheviqit”.

Megjithatë, një pjesë e pushtetit në Mal të Zi menjëherë tregoi se ka rezerva shkaku i veprimeve të para të liderit të Opozitës Demokratike të Serbisë (DOS), Voisllav Koshtunicës.

“Ndërrimi i Millosheviçit edhe mëtej nuk do të thotë se ka përfunduan periudha e Millosheviçit, sepse disa porosi nga Beogradi lënë hapur mundësinë që edhe pas Millosheviçit të jetë Millosheviqi, pra e njëjta politikë në paketim të ri”, shpreh frikë kryetari i Partisë Socialdemokrate Zharko Rakçeviç, duke përkujtuar se Opozita Demokratike e Serbisë përbëhet nga 18 parti që ndryshojnë shumë. Rakçeviçi në konferencën e sotme për shtyp vlerësoi se vlera më e madhe e ndryshimit të pushtetit federal është “se u hoq shkopi nga koka e Malit të Zi dhe se hapen mundësi për zgjidhje paqësore të problemeve kapitale në raportet Mali i Zi me Serbinë”.

Kryetari i socialdemokratëve pohon se “pas vendimit të Parlamentit të Malit të Zi, as parlamenti federal as qeveria federale nuk kanë legjitimitet, se pushteti në Mal të Zi nuk mund të pranojë as ta konsiderojë legjitim as parlamentin e ardhshëm, as qeverinë e ardhshme”.

Prandaj për këtë shkak për ne nuk ekziston kryetar i RFJ-së, sepse nuk ekziston RFJ-ja, përfundon Rakçeviç, me komentin: “Është e palogjikshme që në bazë të zgjedhjeve jolegjitime dhe zgjedhjeve të papranuara, dikush ta urojë kryetarin e ardhshëm të RFJ-së”.

Para disa ditësh edhe shefi i diplomacisë malazeze, Branko Llukovac, deklaroi në intervistën për “Nju Jork Tajmsin” dhe “ Toront star”: “Kandidati për kryetar, Voisllav Koshtunica, nuk do të ketë legjitimitetin e Malit të Zi në rast se vjen në pushtet, sepse 80 përqind e qytetarëve të Malit të Zi kanë bojkotuar zgjedhjet presidenciale. Koshtunica do të ketë legjitimitetin e Serbisë, ku për atë votuan shumica e votuesve, por jo edhe Mali i Zi”.

Partia Socialiste Popullore, vatra më e fuqishme malazeze e politikës së Sllobodan Millosheviçit, ka pranuar fitoren e Voisllav Koshtunicës por se ende mbetet në koalicion me Partinë Socialiste të Serbisë, ka pohuar në konferencën e sotme për shtyp nënkryetari i saj, Predrag Bulatoviç.

Socialistët e Momir Bullatoviçit veçmas përkrahin qëndrimin e Voisllav Koshtunicës se do ta respektojë Kushtetutën e RFJ-së dhe mandatin për formimin e qeverisë federale do t'ia dorëzojë Partisë Socialiste Popullore të Malit të Zi.

Partia Popullore e Malit të Zi, një nga anëtaret e koalicionit qeveritar malazez, pret që Voisllav Koshtunica nuk do ta bëjë gabimin e Sllobodan Millosheviçit dhe mandatin për kryeministër të qeverisë federale t'ia jap PSP.

“Për ne nuk është kontestuese që Koshtunica ta marrë pushtetin, por para se t'ia japë dikujt mandatin për kryeministër duhet të mendojë se athua Predrag Bulatoviçi, nënkryetar i Partisë Socialiste Popullore, është njeriu i denjë për këtë gjë”. “Para nesh qëndrojnë punët e vështira. Qeveria e Serbisë edhe mëtej është në duar të Partisë Socialiste të Serbisë, kurse aty është fuqia kryesore. Kjo që ka ndodhur është rrëzim simbolik i Sllobodan Millosheviçit, kurse demontimi qenësor me plot kuptimin e fjalës fillon tani”, thotë Shoc. Me largimin e Millosheviti u hap hapësira që me paqe, me durim dhe në formë demokratike të fillohet me rregullimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Malit të Zi. Reformat e brendshme mundësojnë krijimin e kushteve për integrim të plotë në bashkësinë demokratike, tha Shoc në konferencën e sotme për shtyp.

Mirosllav Viçkoviç, kryetar i Lidhjes Liberale, shprehu shpresë se me rrëzimin e regjimid rigjid diktatorial “Serbia e re do të ripërtrijë të gjitha institucionet, që është garancia e vetme e demokracisë dhe lirisë, t'i pastrojë nga nacionalizmi mashtrues kobndjellës dhe të bëhet garant i sigurtë i paqës dhe stabilitetit në rajon”.

Duke rikujtuar se liberalë malazezë vazhduan dhe u zhvilluan duke luftuar me mjete demokratike kundër politikës së Millosheviqit dhe kundër Partisë Demokratike të Socialistëve të Malit të Zi, Viçkoviç konsideron se ngjarjet në Beograd do të jetë vërejtje e madhe edhe për forcat e ngjashme në Mal të Zi “që pengojnë procesin e demokratizimit, ku themel duhet të jenë zgjedhjet e lira, të sinqerta dhe ferr si dhe shteti i lirë, organiziatat joqeveritare, që duhet të veprojnë sipas Kushtetutës dhe ligjit dhe vlerave themelore të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut, që kursesi të mos vendosen në shërbim të cilitdo monopol politik”.

Me rastin e ndryshimit të pushtetit në Beograd, Shoqata e shkrimtarëve të pavarur malazez dërgoi apel deri tek Kuvendi i Republikës së Malit të Zi duke kërkuar nga ai që menjëherë të fillojnë bisedimet me përfaqësuesit legjitim të Serbisë për ndarjen e qetë dhe se nëse nuk arrihet nga të dyja palët marrëveshje e pranueshme, në afat prej tre muajsh, të sjell vendimin për referendum rreth pavarësisë së Malit të Zi. Shkrimtarët gjithashtu kërkuan edhe nga Millo Gjukanoviçi që të shprehet qartë ndaj përcaktimit për pavarësi shtetërore, duke konstatuar se RF e Jugosllavisë de jure dhe de facto më nuk ekziston, prandaj “kushdo që të jetë kryetar i të ashtuquajturës Jugosllavi nuk do të mund të ketë legjitimitetin e Malit të Zi”.

Dhe Amza malazeze iu drejtua sot me letër të hapur Kuvendit të Malit të Zi duke shënuar se “përpara janë ngjarje që do të çojnë te një rrezikim i ri i interesave nacionale malazeze” dhe se nesër mund të jetë vonë “nëse tani shteti i Malit të Zi nuk shkon udhës së pavarësisë dhe demokratizimit”.

Duke potencuar se Mali i Zi demokratik i gëzohet fitores së opozitës në zgjedhje dhe vendosmërisë së popullit serb në rrënimin e pushtetit autoritar dhe militar për të cilin shumica e Malit të Zi ishte armike, në letër sinjalizon:

“Paralajmërimet e pushtetit të ri se do të respektojnë legjitimitetin e organeve jolegjitime federale, në rend të parë Kushtetutën dhe institucionet federale, që në thelb janë antimalazeze, e shpie Malin e Zi në një gjendje inferiore. Përvoja e hidhur me regjimin e Beogradit, presioni i unitarizmit, bërja me vetdëshirë e Kushtetutës, nënçmimi i interesave dhe të drejtave malazeze, përdorimi politik i Ushtrisë Jugosllave, e detyroi Kuvendin e Malit të Zi të sillte Rezolutën për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të Republikës e qytetarëve të saj, me çka praktikisht u suspenduan ingerencat federale në territorin e Malit të Zi, kurse i vetmi segment i pushtetit federal, jashta kontrollit qytetar, është Ushtria Jugosllave”. Për këtë shkak “është momenti i duhur që Mali i Zi dhe Serbia në mënyrë të civilizuar dhe të ndershme të mblidhen dhe të tentojnë të dalin nga skëterra e nënçmimit dhe absurdit dhe me sa më pak hipoteka edhe njëra edhe tjetra të ndërtojnë të ardhmen dhe raportet e shëndosha të ndërsjellta”, potencohet në letrën e Amzës malazeze.

Me fjalë të tjera: njëri rrëfim ka mbaruar, por askush në Mal të Zi nuk dëshiron të prognozojë se si do të duket nesër RFJ-ja dhe athua, në të vërtetë, do të jetë.

Aim Podgoricë

VESELJKO KOPRIVICA