LUFTA E GRAFITEVE
Prishtinë, 1.10.2000.
Në rrugët e Kosovës nuk ka patur kurrë kaq shumë grafite, sa janë shfaqur që nga 13 shtatori i këtij viti, datë që shënon edhe fillimin e fushatës paraelektorale për zgjedhjet lokale të 28 tetorit. Dikur mund të shihje grafite vetëm mbi fasadat e pallateve ose në objekte të braktisura, dhe kryesisht kishin të bënin me tituj ose vargje nga këngët e rock grupeve ose këngëtarëve të njohur botërorë, si dhe zemra të vizatuara me "shigjetën e Kupidonit" mespërmes bashkë me inicialet e të dashuruarve... Rrallë mund të lexohej ndonjë grafit më përmbajtje ca më të "thellë" ose një mesazh pakëz më inteligjent. Duket se situata politike vazhdimisht e tensionuar, si dhe shqiptimi i dënimeve të gjata me burg për shkak të një parulle të shkruar në mur, ka bërë që "topitet" dëshira, natyrisht edhe "frymëzimi" për të shkruar grafite. Vërtet, as banorët e apartamenteve, as pronarët e shtëpive apo udhëheqësit e objekteve shoqërore nuk kanë dëshiruar gjithashtu t'i shohin muret e tyre të shkarravitura, madje as të mbuluara me pllakate, qoftë edhe me asosh që paralajmëronin mbajtjen e një koncerti të rrallë ose shfaqje teatrore. Duke iu falënderuar kësaj, Kosova ishte ndoshta vendi me më shumë plehra dhe pluhur në rrugë, por me muret më të pastra "në botë". Mirëpo, këto ditë, ato mure morën pamjen e leckave të grisura.
22 partitë politike, dy koalicione dhe disa nisma qytetare, e kanë filluar garën për të siguruar fotografi sa më të mprehta për 5500 kandidatët e tyre për postet udhëheqëse në 30 komunat e Kosovës. Pllakatet me fotografi të dendura janë "dekoruar" edhe me sloganet e partive politike, pjesa më e madhe e të cilave premton "pavarësi të sigurt" për Kosovën dhe "shkëputje të përjetshme" nga Serbia. Krahas tyre janë vendosur kryesisht pllakatet e OSBE-së, që është edhe organizuese e këtyre zgjedhjeve. Me sloganin "Komuna ime, vendimi im", OSBE ka ofruar disa shpjegime rreth asaj se "çfarë është fuqia e qeverive lokale", duke theksuar me radhë çështjet e rrugëve, plehrave, kanalizimit, ndërtimit, etj.
Mirëpo, për këto nuk mund të lrxosh edhe në pllakatet paraelektorale të partive politike. Atoe kanë filluar garën cila prej tyre do të ketë shprehje më të fuqishme "poetike" që do të depërtojnë "thellë" gjer te vetëdija "nacionale" e votuesve. Lidhja Demokratike e Kosovës (e Ibrahim Rugovës) pohon se me "LDK shkohet në ardhmëri", duke aluduar njëkohësisht te "udhëheqja e gjertanishme dhe mbështetja ndërkombëtare që e ka patur ajo për shkak të qëndrimeve të saj paqësore dhe të moderuara"... Partia Demokratike e Kosovës (e Hashim Thaçit), e cila e quan veten trashëgimtare të UÇK-së, ka vendosur ta "materializojë" këtë trashëgimi. "Kujtojmë lavdinë, ndërtojmë ardhmërinë" është slogani i ish-luftëtarëve, të cilët, siç thonë vetë: "ashtu siç kanë ditur të bëjnë luftën, do të dinë të ndërtojnë edhe paqen". Madje, ata i janë betuar edhe presidentit amerikan, Bill Klinton, se një gjë të tillë vërtet do ta bëjnë...
Lëvizja e Bashkuar Demokratike (e Rexhep Qosjes) ka bërë aleancë me një parti minore, duke krijuar Koalicionin për Pavarësi, dhe sipas tyre "pavarësia ndërtohet çdo ditë". Ky kalicion mezi ka arritur që të plotësojë një vend të zbrazët në Këshillin e Përkohshëm Administrativ të Kosovës mu për mungesë kuadrosh, nërsa tani me plot gojën premton "ndërtimin e pavarësisë së Kosovës". Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka vendosur, ndërkaq, që të "mos e kërkojë pavarësinë, por ta ndërtrojë vetë". Kështu premtohet nëpër pllakate që më shumë u përngjajnë reklamave sportive ose reklamave të ndërmarrjeve tregtare, ku mbizotërojnë sprehjet si: "guxim, vullnet, kualitet, sukses i garantuar...!" Dhe kështu me radhë, slogane, grafite, pllakata, emetojnë mesazhe dhe premtime për votuesit me cilën parti do të jenë të sigurt, cila do t'ua sjellë pavarësinë në tavolinë dhe "të cilën do të mund ta hanë si një ëmbëlsirë", cila do t'i shpiejë në Evropën e Bashkuar ose cila nga ato do ta shndërrojë Kosovën në parrajsë ku "njerëzit do të hanë me lugë të arta". Dhe të gjitha së bashku premtojnë siguri, rend, ligj, e më së shumti tolerancë nga të gjitha llojet e mundshme - etnike, politike, partiake, fetare, klanore, fisnore, grupore, etj.,etj. Ndonjërit do t'i shkonte mendja se ndonjë fuqi e paidentifikuar nga jashtë po përpiqet të mbjellë përçarje dhe mosdurim midis politikanëve tanë "paqësorë", përderisa zyravetë partive politike (siç ka ndodhur në Prishtinë me zyrën e Partisë Demokratike të Kosovës, ose në Shtimje dhe në vende të tjera me zyrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës) u vihet zjarri nga "armiqtë e mirëkuptimit dhe të tolerancës kosovare"...
E ka arritur kulminacionin edhe beteja për zënien e "vendit të nderit" në muret dhe fasadat e qyteteve kosovare. Partitë politike, kush më parë e kush më shpejt, i kanë ngjitur pllakatet e tyre në vendet "më të mira" dhe më frekuentuese, dhe pikërisht këtu ka zënë fill lufta me posterë, grafite, mbishkrime, parulla... Duke se nata është koha për kryerjen e këtyre "operacioneve", meqenëse pllakatet e vendosura një ditë më parë, të nesëmen ose janë të mbuluar me pllakatet e partisë tjetër ose thjesht gdhijnë të grisur, ndërsa grafitet janë ose të shkarravitur ose të mbishkruar dhe të shndërruar në grafite dhe mbishkrime të tjera. Komuna e Malishevës, në Kosovën qendrore, një mëngjesi është gdhirë me fotografitë e liderit të LDK-së, Ibrahim Rugovës, dhe të kryetarit jugosllav, Sllobodan Millosheviq, me mbishkrimin "Dy fytyrat e Rugovës". Flitej se fjala është për një fotografi nga "takimi" i dy liderëve në prill të vitit 1999, në kohën e fushatës së bombardimeve. Në Shtimje, rreth 20 kilometra në jug të Prishtinës, një mëngjesi janë gdhirë muret e shkollave dhe të xhamisë së fshatit me mbishkrime kundër Partisë Demokratike të Thaçit dhe ish UÇK-së dhe me thirrje për të mbështetur LDK-në dhe Rugovën. Nëse mund të gjykohet duke u bazuar te lufta e pllakateve dhe grafiteve, këto dy parti definitivisht janë edhe "favoritët" kryesorë, meqenëse jo vetëm kjo luftë po zhvillohet pikërisht në këtë relacion. Ata më cinikët pohojnë se "ashpërsia e luftës është e kushtëzuar edhe nga disa rrethana lehtësuese". Fjala vjen, LDK dhe PDK dallojnë vetëm për një shkronjë, dhe kjo "i ndihmon ata që e kanë këtë soj lufte "hobi" që fare lehtë ta shndërrojnë njërën në tjetrën, për ç'gjë u duhet vetëm pak ngjyrë". Sidoqoftë, kjo lojë-luftë i ka shtuar tensionet dhe duket se numri i njerëzve që merret me këtë formë të luftës politike nuk është fare i vogël as i paorganizuar. Askush nuk di për autorët, mirëpo mund të thuhet se ato janë "formacione" të vet partive politike, të cilat kujdestarojnë për të dhënë ose për ta kthyer goditjen. Fjala vjen, në Skënderaj, në Drenicë, gjatë një nate janë grisur posterët e të dy partive kryesore. Dhe askush nuk e di nëse grupet që "e kryejnë këtë veprimtari" janë takuar diku në rrugë e sipër duke e kryer të njëjtën punë...
Nëse kjo lojë nuk fryhet dhe nuk shkakton ndonjë "tërmet" politik, atëherë ajo thjesht do të mund të shënonte edhe "fillimin" e grafiteve kosovare. Megjithatë, si rezultat i këtij fillimi, patitë politikë nuk do të pësojnë vetëm pasoja politike. Pronarët e shtypshkronjave, të cilët siç duket "nuk janë edhe aq të pakënaqur me këtë luftë", thonë se shtypja e një posteri kushton mesatarisht 1DM, ndërsa partitë politike vendosin me mijëra të tillë në çdo skutë... Posterët e grisur këmbehen menjëherë me të rinj, po megjithatë, duket se duart e atyre që i grisin janë shumë më të shpejta se vetë shtypshkronjat. Dhe kjo ndeshje e pabarabartë i hap dhe i mbyll arkat e partive të "varfëra", të cilat premtojnë që Kosovën do ta shndërrojnë në një "kopsht me lule"...
AIM Prishtinë, Besnik BALA