Diferencimet politike shumëkahëshe

Pristina Oct 8, 2000

Prishtinë, 2.10.2000.

Të gjitha partitë kosovare janë themeluar dhe veprojnë në suazat e mjedisit të vet kombëtar. Gjendja e këtillë te secili krijon së paku dy përshtypje politike. E para do të thotë se ekziston një homogjenizim i fuqishëm brenda të gjitha komuniteteve kombëtare të Kosovës. E dyta sugjeron se në periudhat e aktiviteteve paraelektorale partitë u drejohen vetëm pjesëtarëve të komuniteteve të veta kombëtare. Ky është vështrim nga sipërfaqja mbi rrjedhat etnike dhe politike. Në realitet, perdet, gardhiqet, muret... nuk janë edhe aq të forta. Megjithatë, dukuritë e këtilla duhet të vështrohen nga kënde të ndryshme. Ashtu mund të zbulohen si nuancat ashtu edhe çrregullimet tektonike që i bllokojnë përmirësimet, e po ashtu edhe tendencat që stimulojnë, ndihmojnë dhe krijojnë rrethana për kapërcimin e ndarjeve dhe për integrime.

Më e ashpër duhet të jetë distanca ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve dhe partive të tyre. Duhet të jetë shumë më e butë ndërmjet partive shqiptare dhe të komuniteteve kombëtare joserbe dhe diçka më e fortë ndërmjet komuniteteve kombëtare joshqiptare dhe serbëve. Ka vlerësime politike se distanca ndërmjet partive shqiptare dhe partive të komuniteteve joserbe është shumë më e butë se ndërmjet vetë blloqeve politike shqiptare. Blloqet politike shqiptare ende nuk mund ta shohin me sy njëri-tjetrin. Në anën tjetër, partitë myslimano-boshnjake dhe turke, ose më mirë të themi disa prej tyre, në periudha të caktuara kanë bashkëpunuar edhe me njërin edhe me bllokun tjetër politik shqiptar.

Një aspekt më interesant i distancave kombëtare kosovare janë dallimet dhe shtresëzimet e nuancuara ose madje edhe të ashpra politike brenda vetë komuniteteve kombëtare. Në këtë pikëpamje pa ngurrim mund të shtrohet teza se asnjëri grupacion politik ose asnjëra parti nuk është në marrëdhënie vëllazërore me tjetrën. Në gjithë koloritin e raporteve dhe ndarjeve politike kosovare përjashtim nga kjo gjendje faktike janë raportet ndërmjet LDK-së dhe PSHDK-së. Ndoshta mund të ketë edhe ndonjë rast të ngjashëm, por ky duhet të jetë rasti më tipik. Rivalitetet ndërmjet vëllezërve të një kombi mund të jenë shumë të ashpra, madje të përcillen edhe me akuza tejet të rënda. Tashmë janë të njohura supozimet se ndërmjet blloqeve të armiqësuara shqiptare ka edhe raste të qërimit të hesapeve me armë zjarri. Që më parë janë të njohura tendencat e ndarjeve brendashqiptare në revolucionarë dhe demokratë, dhe në tradhtarë dhe patriotë.

Ndasi dhe akuza të ngjashme paraqiten edhe brenda korpusit politik serb. Por fitohet përshtypja se dukuritë e këtilla më së shumti nxiten ose shfaqen në relacionet e serbëve të Kosovës me Beogradin. Ka pasur kritika, të ndërsjella, madje shumë të ashpra ndërmjet përfaqësuesve të serbëve të Graçanicës dhe të Mitrovicës. Por, ato nuk janë shprehur në relacionin atdhetarë-tradhtarë. Është me shumë interes të shënohet se para disa muajsh tendenca të dyshimeve dhe të akuzave të këtij lloji, për një kohë të shkurtër pati edhe në konfrontimet verbale ndërmjet Partisë Popullore Turke dhe Unionit Demokratik Turk. Ky konfrontim lidhej kryesisht me raportet e dikurshme me regjimin e Beogradit dhe me dyshimet për afinitete që në rrethana të përshtatshme ato raporte të përtërihen.

Polemizime të ashpra verbale, por pa tendenca të ndarjes në atdhetarë dhe tradhtarë pati kohë më parë edhe ndërmjet partive dhe grupacioneve që, thënë me kusht, i përkasin korpusit politik të romëve. Edhe pse flitej edhe për besnikërinë ndaj Kosovës dhe mëvetësisë së saj, fitohet përshtypja se konfrontimet politike brenda këtij korpusi motiv kryesor patën rivalitetet dhe aspiratat për primat "kombëtar". Siç dihet, tash e shumë vite brenda korpusit rom të Ballkanit Jugor, kryesisht nën ndikimet dhe presionet politike të fqinjëve të tyre më të fortë dhe të shteteve ku jetojnë, filluan të vlojnë ndasi që herë pas here shprehen edhe si tendenca të diferencimeve "kombëtare" brenda vetë romëve. Vetë romët flasin për elemente të diferencave etnike, kurse diferencimet e brendshme në Kosovë i pranojnë edhe ndërkombëtarët. Kështu, tash në jetën publike të Kosovës flitet se ka rom ashkalinj, romë egjiptas, romë serbë dhe romë. Çka janë të parët, të dytët dhe të tjerët dhe çfarë mund të jenë dallimet "etnike" midis tyre, është shumë vështirë të flitet. Duket sikur kritere kryesore të diferencimeve duhet të jenë afërsia me zakonet, gjuhën, fenë... e popullit shumicë, të popullit shtetformues ose të shtetit. Sa mund të jenë këto kritere të vlefshme për të bërë diferencime të tilla "etnike", është një pikëpyetje e madhe.

Me probleme të ngjashme ballafaqohet edhe korpusi mysliman-boshnjak-goran. Në radhët e pjesës më të madhe të këtij korpusi kultivohet një distancë e ashpër ndaj serbëve dhe, njëherësh, me fjalë, besnikëri e nivelit të lartë ndaj pavarësisë së Kosovës. Pas grindjeve të brendshme politike shumëvjeçare, nga Partia e Aksioni Demokratik u formuan dy parti politike plotësisht të mëvetësishme që pretendojnë të jenë parti e vërtetë e aksionit demokratik. Në zgjedhjet e ardhshme lokale të 28 tetorit nga ky korpus do të konkurrojnë 4 parti dhe grupacione politike.

Nga sipërfaqja e rrjedhave tash për tash nuk duket se shtresëzimet dhe dallimet politike brendakombëtare dhe ndërmjet komuniteteve kombëtare janë të karakterit parimor. Në pyetje është lufta për votat e elektoratit të kombit të vet, pra pushteti. Por, kjo nuk do të thotë se nuk ka nuanca që javëve dhe muajve të ardhshëm mund të paraqiten si mospajtime thelbësore. Ndërmjet grupacioneve serbe të Graçanicës dhe të Mitrovicës sherri mund të shpërthejë rreth çështjes së integrimit të serbëve në institucionet dhe në jetën kosovare. Ndërmjet partive shqiptare dallime mund të paraqiten rreth definimit të rrugëve për arritjen e një statusi përfundimtar, madje edhe për vetë statusin përfundimtar të Kosovës. Njëra nga dy partitë turke me muaj i referohet Kushtetutës së vitit 1974. Thuhet se kërkohet kontinuitet kushtetues për shkak të dëshirës së madhe që turqishtja të bëhet gjuhë e tretë zyrtare në Kosovë. Lidhja ndërmjet kushtetutës në fjalë dhe gjuhës në retorikën e përditshme politike nuk duket se kurdoherë është e precizuar. Por, edhe sikur ky mosprecizim të jetë i paqëllimshëm, insistimi në këtë lloj kontinuiteti tërthorazi lidhet edhe me problemet e statusit të Kosovës. Dilema dhe paqartësi të ngjashme mund të paraqiten edhe për aktivitetin e Nismës Qytetare të Gorës. Dyshimet mbështeten në disa lidhje që mund t'i ketë Nisma me një shtresë të goranëve që për shumë vjet, në të gjitha fushatat kundër shqiptarëve, ishte dorë e djathtë e regjimit të Beogradit.

Laramania e listës të të kandiduarve për zgjedhjet komunale të 28 tetorit dhe raportet ndërmjet shumë partive tregojnë se marrëdhëniet politike dhe etnike ndërmjet kolektiviteteve kombëtare të Kosovës nuk janë vetëm negative ose vetëm pozitive. Ka midis tyre që kanë bashkëpunuar ose kanë bashkëjetuar dhe i vazhdojnë këto marrëdhënie në atmosferë tolerante. Por, ka midis tyre disa sosh si dhe raporte që përshkohen nga mosbesimi i thellë që i bën të pamundshme kontaktet elementare ndërmjet tyre. Prandaj, mund të thuhet se, marrë në tërësi, raportet ndërmjet grupacioneve politike dhe komuniteteve kombëtare të Kosovës nuk janë të ngurtësuara sa duket të jenë nisur nga përmbajtjet që dominojnë në retorikën e përditshme politike dhe në mediat kosovare.

AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI