Së pari pjekuri politike, pastaj pushtetin

Pristina Oct 8, 2000

Prishtinë, 7.10.2000.

Të gjithë politikanët, partitë, aktivistët e tyre dhe pjesët e elektoratit që angazhohen me afsh të madh në aktivitetet e tashme paraelektorale, duhet ta lexojnë Rregulloren e kryeadministratorit Kushner për qeverisjen komunale. Kur ta lexojnë, në qoftë se i heqin perdet e verbërisë politike, mund të konkludojnë se jo që është i panevojshëm, por është shumë i dëmshëm angazhimi fanatik i energjive që me çdo kusht të fitojë partia ime ose, më mirë të themi, me çdo kusht të humbasë partia rivale.

Sikur Rregullorja të përfundonte me kreun 8 dhe me nenin 45, ndoshta do të mund të gjendej ndonjë "arsyetim ose mirëkuptim" edhe për lojëra të ndyra paraelektorale. Por, ajo e ka edhe vazhdimin. Deri te vazhdimi, në forma mjaft interesante kërkohen zgjidhje për një rregullim të ekuilibruar të raporteve ndërmjet organeve të pushtetit lokal. Në këtë pikëpamje përfaqësuesit e popullit dhe qytetarët do të hasin në forma organizative të pushtetit dhe të administratës lokale për të cilat deri tash nuk kanë ditur gjë. Në këtë dokument janë bërë shumë përpjekje në fushë të konkretizimit të autorizimeve, njësoj edhe të përgjegjësive që synojnë ngritjen e profesionalizmit në punë në të gjitha nivelet, sidomos në sferat e ekzekutivit dhe të shërbimeve civile. Madje, formimi dhe kompletimi cilësor i të gjitha shërbimeve shtrohet si një nga parakushtet për transferimin e pushtetit nga ndërkombëtarët në organet e zgjedhura vendore. Nga përbërja e organeve komunale dhe procesi i vendosjes në mënyrë të fuqishme vijnë në shprehje synimet për mbrojtjen rigoroze të minoriteteve dhe të interesave të tyre. Fitohet përshtypja se në procesin e vendosjes për këto çështje majorizimi kombëtar ka pengesa që atë e bëjnë gati të pamundshëm. Megjithatë, edhe pse fjala është për një model që, siç thuhet, mbështetet edhe në konventat ndërkombëtare për qeverisjen lokale, për të gjitha çështjet duhet të vërtetohet në praktikë.

Te zgjedhurit e popullit dhe funksionarët komunalë do të ballafaqohen edhe me rregulla të normuara që kalojnë edhe në fushë të obligimeve morale. Ndër to, më interesante janë rregullat e përjashtimit ose të vetëlargimit të përkohshëm nga procesi i vendosjes për çështjet për të cilat janë drejtpërdrejt të interesuar ata ose të afërmit e tyre. Gjithashtu, para mbledhjes së parë të kuvendit, anëtarët e tij duhet të ofrojnë publikisht një raport të plotë të të gjitha interesave të tyre financiare, kurse për ndryshimet që do të ngjajnë ndërkohë do të informojnë në një afat sa më të shpejtë.

Sa mund të kuptohet, partitë kosovare nuk i bënë vërejtje Rregullores në pjesët e saj që kanë të bëjnë me autorizimet, procesin e vendosjes, mbrojtjen e minoriteteve (në pjesën e përgjithshme të saj)... Por, për një pjesë të partive shqiptare dhe të disa partive të minoriteteve ishin dhe mbetën kontestuese çështjet e përdorimit të dygjuhësisë (shqipes dhe serbishtes si dy gjuhë zyrtare, neni 9) dhe, sidomos, hapja e Zyrave të Komuniteteve kombëtare, si dhe nënzyrave të tyre, ku qytetarëve të minoriteteve do t'u ofroheshin të gjitha shërbimet civile (paragrafët e fundit të nenit 23). Sa i përket gjuhës, partitë e pakënaqura kërkuan të caktohet, së paku, një kriter minimal i pranisë së minoriteteve për përdorimin zyrtar të gjuhëve të tyre. Kështu, shtrohej pyetja, do të përdoret dygjuhësia edhe në viset ku nuk ka gati asnjë pjesëtar të minoriteteve. Polemika më të nxehta shkaktoi paralajmërimi për hapjen e Zyrave të Komuniteteve. Emërtimi sugjeron se zyra të tilla do të hapen për të gjitha komunitetet kombëtare. Por, praktikisht fjala është për hapjen e tyre në viset ku jetojnë serbët. Përveç LDK-së që e përkrahu formimin dhe hapjen e tyre, të gjitha partitë tjera shqiptare dhe minoritare e quajtën themelimin e tyre si tendencë që shpie drejt kantonizimit të Kosovës dhe privilegjim të serbëve në krahasim me minoritetet tjera.

Disa javë këto çështje e preokupuan intensivisht opinionin kosovar, sidomos atë shqiptar. Por, në gjithë atë rrëmujë retorike, nuk u dëgjua asnjë fjalë kritike për nenet pasuese të Rregullores. Pra, dokumenti vazhdon me kreun 9, i cili përmban disa nene të gjata që janë quajtur: Dispozitat Speciale. Në këtë pjesë shprehimisht thuhet se derisa nuk miratohen statuti dhe rregulloret e punës të kuvendit dhe të organeve të tij, pushtetin do ta ushtrojnë, si edhe deri tani, organet e UNMIK-ut. Pastaj, nuk do të ketë pushtet për vendorët derisa të mos konstituohen të gjitha shërbimet komunale që me profesionalizëm dhe përgjegjësi do t'i ushtronin punët civile, të buxhetit dhe të shpenzimit të tij, si dhe të kontrollimit efikas të të gjitha rrjedhave financiare. Edhe kur të plotësohen këto kushte, kryeadministratorit i mbetet e drejta e intervenimit në çdo rast kur ai e konsideron të nevojshme. Deri në plotësimin e kushteve të lartëpërmendura, kuvendin, organet e tij dhe të gjitha shërbimet civile do t'i udhëheqë administratori komunal.

Statuti, rregulloret e punës dhe zgjedhjet e funksionarëve duhet të miratohen dhe të bëhen në pajtim me procedurat e marrëveshjeve, të hapjes dhe transparencës së plotë ndaj opinionit publik dhe të udhëzimeve të kryeadministratorit. Kjo është një procedurë shumë e ndërlikuar që nuk mund të jetësohet pa bashkëpunim të sinqertë dhe pa ndjenjën e domosdoshme për kompromise. Punë jashtëzakonisht e rëndë është nisja gati prej zeros në formimin e administratës dhe të shërbimeve kompetente dhe të përgjegjshme komunale.

Pikërisht këto përvoja u mungojnë forcave politike shqiptare. Do t'i kishin, qoftë vetëm disa elemente të përvojave të tilla, sikur deri tani të kishin bashkëpunuar ndërmjet tyre, së paku për çështjet më akute. Por, jo. Edhe tani vazhdojnë me të vjetrën. Në fund, forcat politike shqiptare do të detyrohen të bashkëpunojnë dhe t'i lëshojnë pe njëra-tjetrës. Por, deri atëherë do të jenë jashtë procesit të vendosjes për çështjet thelbësore. Me vazhdimin e konfrontimeve, ato drejtpërdrejt veprojnë kundër përpjekjeve të veta për ta marrë pushtetin. Gjithashtu, grindjet dhe konfliktet paraelektorale dëshmojnë se fare kot derdhen aq shumë energji për diçka që nuk tregon asgjë tjetër përveç se këto forca nuk janë të pjekura ta ushtrojnë pushtetin dhe se kjo nuk do t'u lejohet derisa të mos ndryshojnë.

AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI