A do te vije deri te ndryshimet kushtetuese?

Skopje Oct 8, 2000

Ndryshimet me eufori i paralajmëroi nënkryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi në mitingun në shenjë fitoreje në zgjedhjet lokale, por hasi në demante të ashpra të partnerëve të koalicionit. Në të njëjtën kohë në tekstin e diplomatit të njohur Ivan Toshevskit, që analizon raportet e grupit ndërkombëtarë të krizës, sugjeron se është më mirë për Maqedoninëqë vet t'i përgatisë ndryshimet kushtetuese,

në vend se BE të emërojë "bashkëpunëtorin e vet për integrim".

AIM Shkup, 4.10.2000

Në fillimin e javës së kaluar në Tetovë, në qendër të qytetit, Partia Demokratike e Shqiptarëve (PDSH-ja) mbajti mitingun me kryefjalën: "Bashkëpunëtorët e sigurimit shtetëror jashta strukturave politike". Ky është mitingu i parë i organizuar pas rrethit të dytë të zgjedhjeve vendore për të kremtuar triumfin në zgjedhjet vendore, me të cilin demisionohet oponentja e PDSH-së, Partia për Prosperitet Demokratik. Me fjalë tjera, u kremtua fitorja zgjedhore ku praktikisht, në vendet ku shumica ishte shqiptare, PDSH-ja ishte e vetme!

Kryefjala e mitingut është në vijë të akuzave të mëparshme në adresë të pjesëtarëve të PPD-së që u paraqitën si spiun të shërbimeve të huaja dhe kodoshë të shërbimeve të ndryshme sekrete të dikurshme dhe të tanishme. Mitingu gjithsesi kishte për qëllim që të amortizonte shfaqjen e "Librit të bardhë" rreth incidenteve mes shqiptarëve në rrethin e parë të zgjedhjeve ku tetë veta u plagosën me armë zjarri, kurse njëri nga ata, i riu Fatmir Jakupi nga fshati Kondovë, vdiq shkaku i lëndimeve të marra. "Libri i bardhë" i PPD-së duhet të jetë edhe bazë e diskutimeve rreth incidenteve që duhet të zhvillohen në Parlament gjatë kësaj jave dhe që duhet të japin përgjigje në pyetjen se sa është përgjegjëse për këtë PDSH-ja.

Në miting foli edhe nënkryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, për të cilin, këtyre ditëve mediumet e këtushme spekulojnë se mund të vijë në krye të partisë për ta zëvendësuar Arben Xhaferin e sëmurë. Thaçi me këtë rast duke mos e fshehur disponimin euforik paralajmëroi ndryshime në Kushtetutën e Maqedonisë sipas kërkesës së partisë së tij, përdorimin e shpejtë të gjuhës shqipe në parlament dhe hapjen e shpejtë të universitetit në gjuhën shqipe, për çka, siç sqaroi ai, ekziston marrëveshje mes partnerëve të koalicionit.

Pas paraqitjes së Thaçit se rezultatet e fitores së PDSH-së në zgjedhjet

lokale "së shpejti do të ndihen përmes ndryshimeve kushtetuese, zyrtarizimit të gjuhës shqipe në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë dhe universitetit në gjuhën shqipe" i pari reagoi Sllobodan Çashule, zëdhënës i Alternativës Demokratike, partner i PDSH-së në koalicionin qeveritar. Ai për "Dnevnik"-un deklaroi se "nuk ka asnjë iniciativë për ndryshime kushtetuese, as marrëveshje mes partnerëve të koalicionit për ndryshim të Kushtetutës. Ndryshimet që do të hynin në strukturën bazë të Kushtetutës nuk vijnë parasyshë" sepse "revizioni i kushtetutës do të çonte deri tek thellimi i krizës në shtet". Për Çashulen fjala është për një "marsh politik" të Thaçit në hapësirën ku opozita e bashkuar zhvilloi fushatën e vet agresive: "Prandaj edhe Thaçi i jep të drejtë vetes të ndjehet si faktor i një rëndësie vendimtare. Kësi marrëveshje mes partnerëve të koalicionit nuk ka pasur".

Sipas "Dnevnikut" "edhe qarqet e larta të VMRO-DPMNE gjithashtu demantojnë se mund të vijë deri tek këto ndryshime që i paralajmëron Thaçi". Kjo gjë është mjaft interesante nëse kundrohet nga dy kënde. Së pari nuk është hera e parë që Slobodan Çasule për raportet mes partnerëve të koalicionit dhe shqiptarëve në përgjithësi, kohëve të fundit, plason teza më të vogla "albanofobe". Një pjesë e e intervistës së tij për AIM-in që ka të bëjë me sfondin kriminogjen të PDSH-së është vetëm pjesë e kësaj. Në intervistën e tij për TV Sitelin, në emisionin e njohur "Profil", Çashule, si tezë për "gjimnastikën mentale", shtroi pyetjen: "çfarë do të ndodhte nëse në fillim të krijimit të Maqedonisë së pavarur sikur të vinte tek koalicioni historik mes Kiro Gligorovit, Petar Goshevit (atëherë lider i partisë së dytë për nga fuqia - komunistëve të reformuar) dhe Lubço Georgievskit" dhe menjëherë dha vet pyetjen se pala maqedone tani do të ishte në pozitën që në mënyrë komode të qeveriste vet, në vend se të kërkonte "partner të tretë" tek partitë shqiptare me çka do t'i ikej edhe një kushtetute më pak konfuze e cila pak kompenson këtë mungesë!

Nga ana tjetër, ikja deri tani e gjashtë deputetëve të VMRO-DPMNE-së në VMRO-Opcioni i Vërtetë Reformator Maqedonas në shkallë të madhe është motivuar nga "lëshimet" e liderit Georgievski ndaj kërkesave të shqiptarëve. Teza se partia e dikurshme nacionale maqedone më revolucionare është bërë peng i PDSH-së nuk është në anën e VMRO-DPMNE partiakët e derijeshëm të së cilës akuzonin për tradhëti ndaj i nteresave nacionale maqedone. Është mëse e kuptueshme se në këtë atmosferë, mu si djalli prej kryqit, Georgievski dhe VMRO-DPMNE, u ikin ndryshimeve kushtetuese sipas kërkesave të PDSH-së.

Së këndejmi paraqitja e artikullit "Ndryshimet kushtetuese - kusht për integrim në BE" në "Utrinski Vesnik" paraqet befasi të dorës së parë. Më së pari shkaku i autorit - Ivan Toshevskit, diplomatit maqedonas me autoritet të padiskutueshëm, njeriu që është negociatori kryesor maqedon me Greqinë rreth kontestimit të emrit, negociata që zhvillohen në kuadër të OKB-së. E dyta, përmbajtja e tekstit, ndonëse i botuar në rubrikën "Mendime" (me fjalë tjera dedikuar që ndrimeve personale), megjithatë prek në politikën redaktuese të gazetës,

e cila kryesisht nuk thith dhe aq qasjet e këtilla. Toshevski në artikullin e vet analizon mesazhin e raportit "Shqiptarët etnik: tejkalimi i hendekut" nga Grupi ndërkombëtar i krizës, në Bruksel, i botuar në fillim të gushtit.

"Në raportin e vet Grupi ndërkombëtar i krizës i propozon Bashkësisë Evropiane të emërojë funksionarë të lartë në Maqedoni ("këshilltarë për integrim") me detyrë "të trimërojë dhe lehtësojë ndryshimet e nevojshme politike dhe ekonomike që të lehtësojë integrimet etnike dhe stabilitetin maqedonas si dhe të vendosë themelet për integrimin evropian", shkruan që në fillim Toshevski. Sipas tij pyetja kryesore është se athua mund të shtrohet pyetja që BE ta pranojë këtë propozim. Sepse, sipas Toshevskit, është fakt që grupi i krizës ka selinë në Bruksel dhe përbëhet nga politikaj të dëshmuar nga shumë vende anëtare të BE duke theksuar mundësinë që pikërisht "BE i ka propozuar Grupit të krizës që të propozojë këtë propozim".

Raporti bazohet në faktin se Maqedonia është shtet jostabil, përkundër konstatimit se ka "shkallë relativisht të lartë stabiliteti", nga shkaku i vetëm i marrëdhënieve gjithnjë më të tendosura ndëretnike. Duke ndjekur këtë logjikë, sipas Toshevskit, "vendi doemos duhet sillet në atë mënyrë që të mbijetojë këtë situatë, para së gjithash përmes ndryshimeve të caktuara kushtetuese dhe ndryshimeve tjera". Sepse në rast se kjo nuk do të ndodh "Maqedonia jo vetëm që nuk do të ketë imazh për tu inkuadruar në BE, por do të provokoj edhe destabilizimin e gjithë rajonit".

Toshevski i përmend edhe ndryshimet që, sipas Grupit ndërkombëtar të krizës, janë të domosdoshme. Së pari Preambula e Kushtetutës, në të cilën Maqedonia është definuar si "shtet nacional i popullit maqedon ku garantohet barabarësia e plotë qytetare dhe bashkëjetesa e përhershme e popullit maqedon me shqiptarët, turqit, vllehët, romët dhe nacionalitetet tjera që jetojnë në Republikën e Maqedonisë". Kjo pjesë e Preambulës, sipas vlerësimit të Grupit ndërkombëtar të krizës, favorizon maqedonasit etnik duke u dhënë status më të lartë, deri sa nacionalitetet margjinalizohen. Grupi përmend nenin e 19 të Kushtetutës së Maqedonisë dhe propozon "t'i iket pranimit të veçantë të Kishës ortodokse maqedonase". Përmenden edhe restrikcionet në lidhje me marrjen e nënshtetësisë në ligjin për nënshtetësi. Toshevski përmend edhe nuhatjen e Grupit ndërkombëtar të krizës se në Maqedoni, përfshirë edhe koalicionin qeveritar, ekziston rezistencë e madhe rreth kërkesave për ndryshime, prandaj është e bindur se edhe nëse Qeveria propozon ndryshimet e kërkuara për to nuk do të votojnë të gjithë deputetët e saj.

Toshevski konsideron se "nga e gjithë kjo mund të konkludohet se nuk është edhe aq shumë e rëndësishme se a do të caktojë apo jo Bashkësia Evropiane "këshilltarin për integrim" në Maqedoni. Më e rëndësishme është se qarqet politike, qeveritare dhe joqeveritare, madje edhe opinioni i gjërë maqedonas, përpiqen që drejtë t'i lexojnë mesazhet e Grupit ndërkombëtar të krizës, gjegjësisht të ballafaqohen me një realitet, pa marrë parasyshë se është i përshtatshëm apo i papërshtatshëm". Pozicioni i diplomatit me përvojë, në këtë drejtim, është mëse i qartë: "Sigurisht se për Maqedoninë nuk do të jetë e përshtatshme që Bashkësia Evropiane të emërojë njeriun e saj me detyrën që të veprojë rreth ndryshimeve adekuate të kushtetutës dhe ligjeve tjera. Prandaj shkaku i këtij propozimi i Grupit të krizës të Bashkësisë Evropiane duhet kuptuar si propozim që Maqedonia vet të fillojë procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe në këtë mënyrë të tregohet si shtet në të cilin, megjithatë, ekzistojnë forca dhe gatishmëri për inkuadrimin e qytetarëve në strukturat e Bashkësisë Evropiane".

Teksti i Ivan Toshevskit, i cili de facto është në vijën e njëjtë me paralajmërimet euforike të mitingut në Tetovë nga ana e nënkryyetarit Menduh Thaçi,ende nuk është komentuar në opinionin publik.

AIM Shkup

ISO RUSI