Kinezët në Republikën serbe

Sarajevo Oct 5, 2000

Banjallukë, 2 tetor 2000 (AIM)

Para disa ditësh autobusi që udhëton në relacionin Sarajevë-Banja Llukë, hasi në një grup kinezësh. Të ulur në karriket e fundit të autobusit ata deri në Banja Lukë nuk nxorrën asnjë fjalë. Nuk dolën nga autobusi edhe kur shoferi në një kafene që gjendej skaj udhës bëri pauzë. Vetëm "udhëheqësi " i cili fliste sërbisht doli tu sillte diçka për t'i freskuar.

Athua këto janë biznismenët e ri bosnjëhercegovinas apo edhe një grup tjetër që kërkon ardhmëri të lumtur në Perëndim? Vitin e fundit Bosnjë e Hercegovina, duket se është bërë një vend tërheqës për shtetasit kinez. Në rrugët e Banja Llukës, Sarajevës dhe qyteteve tjera bosnjëhercegovinase gjithnjë e më shpesh mund të shohësh kinezë, dhe gjithnjë e më tepër firma që kanë si mbishkrime germa të pakuptueshme kineze.

Leje për qëndrim të përkohshëm në Republikën Serbe, nga institucionet kompetente, gjatë këtij viti, kanë kërkuar 180 shtetas kinezë. Zyrtarisht, shkaqet e lejeqëndrimit janë marrja me tregëti dhe hoteleri. "Në sekretariatin për ekonomi të qytetit Banja Llukë deri tani vetëm tre kinezë kanë regjistruar firma tregtare në emrin e vet. Njëri nga to kishte edhe shtetësi të RS", thotë referentja Liljana Radovanoviç. Kur posedojnë dokumentacion të rregullt, mënyra Për dhënien e lejeve për punë është e njëjtë si për shtetasit tjerë të RS. Kushti i vetëm plotësues është diploma e nostrifikuar për veprimtarinë përkatëse, për çka e regjistron organizatën punuese.

Është i konsiderueshëm numri i atyre që vendosin të formojnë firma private. Kjo çështje i takon sektorit për investim të jashtëm dhe për këtë është kompetente Ministria e tregëtisë së jashtme – gjegjësisht departmenti për marrëdhënie ekonomike me jashtë. Së këndejmi numër i madh i shitoreve, që janë shtrirë nëpër gjithë Republikën Serbe, mbështeten në ndërmarrjet që sipas rregullave ligjore kanë të drejtë të krijojnë rrjete të shitoreve. Problemet rreth nostrifikimit të diplomave, siç jemi informuar, i zgjidh agjencioni i specializuar për regjistrimin e organizatave të lartpërmendura.Si mbulesë, gjatë regjistrimit në gjykatat kompetente,

paraqitën si drejtorë formal qytetarët vendas. Kjo ka çmimin e vet dhe nuk është vështirë që të binden ata për tu shfaqur në këtë rol.

Shumica e tentimeve të bisedojmë më pronarët e këtyre punëtorive dhe firmave mbetën pa sukses. Buzëqeshje plot mirrësjellje, lëvizje koke dhe heshtje. Megjithatë, më në fund Cang Zigang, pronar i firmës kineze "Bei Jing", na foli neve për arsyet që ka ardhur në Bosnjë e Hercegovinë. "Shumica e neve, kinezëve, që merremi me këtë punë, vijmë në Bosnjë për qëllime të ngjashme - të shesim mallin. Malli ynë është i lirë, por gjithashtu i kualitetit të dobët dhe nuk ka shtrirje në asnjë vend të pasur perëndimorë. Populli këtu blen gjëra kineze, sepse, mu si popullit tonë në Kinë i janë të shtrenjta mallërat e vendeve evroperëndimore", thotë Zigang. Në pyetjen se ku do të shkonte në rast se Bosnja nuk do të ishte në këtë situatë, Zigang u përgjigj: "Në Afrikë". Shumica e shitoreve ose "Shopeve kineze", siç i quajnë, mund të ofrojnë pak gjëra. Grumbulli i mallrave të lirë, të kualitetit të dyshimtë, zgjon edhe pyetjen se si pronarët arrijnë që të shlyejnë detyrimet ndaj shtetit, të paguajnë tatimet, të punësuarit, por zgjohet edhe dyshimi se athua pas kësaj qëndron edhe diçka tjetër.

Raportet e shpeshta të policisë për numrin gjithnjë më të madh të shtetasve të huaj, edhe atyre kinez, të cilët përmes Bosnjës tentojnë të kalojnë në Kroaci dhe prej aty në shtetet perëndimore, kanë zgjuar vëmendjen e opinionit publik edhe në këtë aspekt. Në rastin e fundit nga 12 shtatori, policia kufitare e Republikës së Kroacisë në Gunja tek Bërçkoja arrestoi 20 kinezë dhe një pakistanez që tentonin të kalonin ilegalisht kufirin. Ilegalët lumin Sava e kaluan me skele.

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Serbe gjatë këtij viti ka shënuar edhe disa tentime tjera të kalimit ilegal nga ana e shtetasve kinez drejt Bjelinës, Kostajnicës Serbe, Brçkos dhe Vlasenicës. Hyhet në Bosnjë dhe tentohet të dilet nga ajo përmes barkave, cisternave dhe më këmbë. Për të hyrë në Bosnjë e Hercegovinë shtetasit kinez doemos duhet të kenë vizë, kurse më shpesh hyhet në Republikën Federale Jugosllave. Shkaku i marrëdhënieve të mira tradicionale mes Beogradit dhe Pekinit, Jugosllavia është vend i preferuar për qëndrim, por edhe si bazë kalimtare për në vendet perëndimore.

Sipas disa informatave jozyrtare, në Jugosllavi, momentalisht, gjenden rreth 600 mijë kinezë. Ky numër aq i madh gjithsesi se vjen si pasojë e asaj se Republika Popullore e Kinës tashmë disa vite nuk tenton që shtetasve të vet t'ua ndalojë daljen nga vendi. Nga ana tjetër, kalueshmëria e kufirit mes RS dhe RFJ-së është vend i përshtatshëm për kalime ilegale në BeH. Në mbartjet ilegale të kinezëve janë të përzier si shtetasit jugosllav, gjithashtu edhe shtetasit e Bosnjë e Hercegovinës, sepse kjo dukuri është bërë një biznes fitimprurës.

Para dy muajsh tek Trebinja u ndërpre tentimi i kalimit ilegal të një grupi të kinezëve nga Mali i Zi në Bosnjë e Hercegovinë. Sipas mediave të shkruara, në këtë "operacion" ishin përzier edhe eprorë të Ushtrisë jugosllave.

"Se sa kushton mbartja e një kinezi në Perëndim edhe mëtej zyrtarisht nuk dihet , por çmimi i tregëtisë me njerëz rritet nga dita më ditë", konsideron Alun Roberts, zëdhënës i UN IPTF për rajonin e Banja Lukës dhe Bihaçit. Ai si shembull përmend rastin e një grupi të iranianëve, të cilët pasi u kapën, pas tentimit të kalimit ilegal të kufirit të Bosnjë e Hercegovinës dhe Kroacisë, iu pranuan pjesëtarëve të OKB-së se për një mbartje në Perëndim kanë paguar nga dhjetë mijë marka për person.

Sipas të dhënave të MPB-së së RS, gjatë këtij viti gjykatave kompetente u janë dorëzuar 21 ankesa për kundërvajtje kundër 44 shtetasve kinezë. Shkaqet e këtyre ankesave janë tentimet për kalime ilegale të kufirit, mosvazhdimin e lejeqëndrimeve të përkohëshme dhe mosposedim të dokumenteve të udhëtimit. Refuzimi për marrjet e lejeqëndrimeve në RS iu dorëzua 54 shtetasve kinezë, kryesisht shkaku i mungesës së dokumenteve valide të udhëtimit. Megjithatë, sipas informatave që i morrëm jozyrtarisht, një numër i kinezëve u dëbuan shkaku i punëve jolegale me të cilët ishin marrë.

Deri tani askush zyrtarisht nuk e prognozon se athua RS dhe BeH janë për kinezët rajon interesant për biznes ose bazë tranzite për të kaluar në vendet e Evropës Perënimore. Gjykuar sipas të gjithëve Perëndimi është shumë më interesant.

AIM Banjalluke

ERDOVAN KATANA