Oazi malazez i Sqhiperise

Tirana Sep 30, 2000

AIM TIRANA, 30 SHTATOR 2000

Nje e perjavshme e Tiranes i kishte kushtuar jave me pare dy faqe malazezeve te Shqiperise. Jo te gjithe kane degjuar per ata. Jo se kjo eshte nje teme tabu, por malazezet e Shqiperise preferojne te shohin punen e vet. Ata i rrijne larg mediave dhe mediat u rrijne larg atyre.

Një kishë ortodokse e stilit sllav shquan nga larg , ndersa i afrohesh Vrakës, fshatit sllav ne afersi te Liqenit te Shkodres. Kisha është simboli që e dallon këtë fshat nga dhjetëra të tjerë që shfaqen dhe zhduken pa pushim në të majtë dhe ne të djathtë të rrugës nacionale për në kufirin malazez. Rreth dyqind banorë malazeze të Vrakes janë frekuentuesit e vetëm të kishës. Të tjerët janë shqiptarë katolikë ose myslimanë.

Ne dyqind vetë është katandisur prej dhjetë vjetësh komuniteti i vrakaçorëve, që në fillim të viteve '90 numeronte rreth 2000 vete, dhe përbënin njërin nga minoritetet e përmendura në Shqipëri, pas atij grek dhe maqedonas. Shkaku i boshatisjes së Vrakës është akoma aty në rrugët e pashtruara të fshatit, në shtëpitë e tij të varfera, me elektricitet të pamjaftueshëm. Kurse pasoja ndodhet qindra kilometra larg Shkodrës, në Kosovë, pranë Pejës, ku më 1992 autoritetet jugosllave instaluan me shpejtësi parafabrikatet e Nova Vraka-s (Vrakës së Re). Ishte ky një fshat kolonësh malazezë, të cilët ishin pikerisht fshatarët e shpërngulur nga Shqipëria me shpresën e një jete më të mirë në Jugosllavi.

Radisha Stërkoviç është një fshatar trupmadh, të cilin te gjithe e mbajnë mend duke shëtitur me biçikletën e tij të vjetër nëpër rrugicat e

fshatit. Të gjithë, shqiptare dhe malazeze, e përshëndesin këtë burre, që banon së bashku me prindërit pleq, gruan dhe dy djemtë e vegjël në një nga lagjet e Vrakës, megjithese në fshatin tashmë me strukturë etnike të ndryshuar, të dyja komunitetet më shumë nuk përzihen me njëri tjetrin se sa bashkëpunojnë.

Radisha është një nga të paktët që nuk pranoi të qëndronte në Jugosllavi

më 1992, por u kthye së bashku me familjen e tij në trojet stërgjyshore të Vrakës shqiptare ku jeton akoma. Ai tregon sesin tetë vjet më parë braktisi gjithçka, për t'u hedhur në nje aventurë te panjohur, qindra kilometra më tej.

Më 1991 ndodhi arratia e parë. Një grup i madh të rinjsh malazezë nga Vraka kapërcyen kufirin dhe u hodhën në Jugosllavi. Mund të ishin disa dhjetëra. "Për ta nuk pati pengesa, sepse Shqipëria sapo kishte nisur ta

lejonte hapjen me botën e jashtme", tregon Radisha.

Më parë, në kohën kur Vraka ishte një nga kooperativat e dalluara të Shqipërisë socialiste, ai kishte qenë veteriner. Por në vitet '80 edhe në ekonomitë fshatare të zonës së tij kish nisur të "lulezonte" varfëria. Dyzetvjeçari tregon se pas largimit të grupit të të rinjve, banorët e fshatit kërkuan një takim me autoritetet lokale të Shkodrës. "U thamë se donim të iknim. Jo se kishim ankesa ndaj Shqipërisë, përkundrazi, por në Jugosllavi ishte toka e të parëve tanë", tregon Radisha.

Njerëzit akoma s'i kanë harruar pamjet e transmetuara atëherë nga televizioni shtetëror kur nga Vraka u nisen autobusët e mbushur me fshatarët e përlotur që linin vendin ku kishin lindur. Ishte fillimi i vitit 1992.

Ajo që nuk u mor vesh kurrë, ishte gjithcka ndodhi më pas me grupin e fshatarëve që ikën nga Shqipëria. Një histori të cilën janë të paktë vrakaçorët që duan ta kujtojnë e jo më t'ua tregojnë të tjerëve. " Na ndanë në dy grupe, gratë veç dhe burrat veç. Kam jetuar për disa muaj në

një kamp në Cetinjë, 150 kilometra larg pjesës tjetër të familjes. Pritem disa kohe, kur më në fund disa zyrtarë erdhën dhe na ofruan dy mundësi. Ose do të vendoseni në Kosovë, ose kthehuni në Shqipëri. Shumica iu bindën urdhërit dhe shkuan në Kosovë", tregon Radisha. Ai së bashku me rreth 200 të tjerë preferuan kthimin.

Rreth tetë kilometra larg Pejës, në rrugën që e lidh këtë qytet me Gjakovën, u ndërtua fshati i Nova Vrakës, nje perpjekje e regjimit serb per te ndryshuar strukturen etnike ne Kosove. Malazezët e ardhur Vraka qëndruan aty deri në verën e vitit që shkoi. Më pas, në përfundim të luftës, malazezët që i trembeshin hakmarrjes së shqiptarëve të përgjakur

nga masakrat, u kthyen mbrapsht.

Vraka e Re nuk ekziston më. Në rrugën që lidh Pejën me Prishtinën duken tani vetëm vargjet e drejta të parafabrikateve me një flamur shqiptar që

valëvitet në kulmin e njërit prej tyre. Vrakaçorët nuk dihet më ku janë.

Shumica e tyre, që pranuan të bashkëpunojnë me regjimin serb për kolonizimin e Kosovës, u kthyen përsëri në Mal të Zi, ku ndodhen edhe sot të shpërndarë në disa kampe. Për rikthim në Shqipëri, në Vrakën e parë të origjinës, as që bëhet më fjalë.

Ndërkohë, pjesa tjetër e bashkëfshatarëve që nuk deshën të përzihen në këtë histori, vazhdojnë jetën e tyre atje ku lindën. Në Shqipëri, me ndoca të holla më pak, por me ndërgjegjen pa njolla përpara fqinjëve të tyre shqiptarë.

Radisha tani i kalon ditët në Vrakën e tij pranë Shkodrës duke shëtitur me biçikletën e modelit të shkuar nëpër rrugët gjithë pluhur dhe duke u përpjekur që të shesë ndonjë mall në Mal të Zi. Kjo ndodh vetëm kur rojet e ushtrisë serbe janë me humor të mirë dhe i lënë të kalojnë fshatarët e këndej kufirit. "Nuk na bëjnë ndonjë privilegj meqë jemi sllavë. Ata sekuestrojnë gjithçka që dyshojnë se mund ta gjallërojë tregtinë mes nesh dhe malazezëve", tregon Radisha Stërkoviçi.

Në fakt fshatarët malazezë të Vrakës - natyrisht edhe ata shqiptarë - nuk kanë ndonjë mendim pozitiv për politikën e Jugosllavisë dhe për politikën në përgjithësi. Më plaku i komunitetit malazez, Gojo Pere, me të marrë vesh se në fshat kishin ardhur gazetarë që interesoheshin për malazezët e "qepi" -- në kuptimin e plotë të fjalës - gojën. Ai madje i tha të mos fliste asgjë edhe gruas së tij që vinte vërdallë nëpër oborr duke mërmëritur diçka në gjuhen malazeze. "Mos na ngatërroni me politikën mor djem. Në fshatin tonë askush nuk është marrë ndonjëherë me

politike, prandaj asnjëherë nuk kemi patur probleme mes nesh", thotë plaku Gojo.

Por kur më pas biseda do të ngrohet pak, Gojo të tregon se në darkë të gjithë banorët e fshatit ndjekin me ankth gjithcka qe ndodh ne Podgorice, sidomos grindjet midis "Millos sonë dhe atij Sllobos në Beograd". Nuk ka se si të jetë tjetër. Njerëzit e minoritetit jetojnë njëkohësisht në dy realitete. I pari, ai i përditshmi dhe më i dukshmi i

nxit të flasin pak, të punojnë tokën e tyre dhe të festojnë së bashku me

fqinjët shqiptarë. Tjetri, është identiteti sllav që natyrshem i bën të vëmendshëm për çdo gjë që ndodh matanë kufirit nga ku erdhën qindra vjet

më parë. Prandaj vrakaçorët presin me shqetësim: "Si do të shkojnë zgjedhjet e Beogradit?".

Në shtëpinë e Radisha Stërkoviçit, me një derë të madhe dykanatëshe dhe me një oborr të bollshëm të mbuluar nga hija e një hardhie rrushi të bardhë, nëna e tij, që rri ulur në një karrige pranë derës thotë "Zdravo, mirëseerdhët!". "Urdhëroni brenda se pastaj do te na shani e do

të thoni se nuk dimë të presim miq", thotë duke qeshur Radisha. Energjia

elektrike brenda dhomës së ndenjies ka ditë që vjen me një tension aq të

ulët saqë nuk punon asnjë elektroshtëpiake. Madje as televizori nga ku të gjithë presin lajme të mira nga kufiri.

"Unë nuk kam aspak turp nga origjina ime sllave", thotë Radisha. Radisha

do të thotë "punëtor" dhe mjekëroshi që ka këtë emër thotë se ka jetuar veçse duke punuar ndershmërisht. "Këtu as nuk na kanë privilegjuar, as na kanë persekutuar për shkak të origjinës", thotë ai.

Por, për çudi në fshat e kujtojnë me nostalgji periudhën e regjimit komunist. Eshtë një nostalgji e ndryshme nga ajo e qytetarëve që mbajnë mend rrugët pa pluhur ose rendin e forte publik. "Atëherë vrakaçorët ishin njerëz të nderuar. Punonim shumë dhe vlerësoheshim. Nga ky fshat kanë dalë mbi 100 djem e vajza të diplomuar në shkollë të lartë", thotë gjithë krenari Radisha.

Por, ajo që u mungonte fshatarëve të kësaj ane ishte komunikimi me malazezët e përtej kufirit. Me atdheun e origjinës. Kjo ishte arsyeja pse ikën fshatçe më 1992. Tani për tani, vrakaçorët nuk dinë asgjë për fatin e miqve të tyre që u larguan së bashku me ushtrinë jugosllave nga Kosova. "I kanë kthyer prapë në kampet e Cetinjës më duket", thotë një fshatar i Vrakës. Dy familjet e vetme me refugjatë kosovarë që erdhën një vit më parë në Vrakë, nuk pranuan të qëndronin në shtëpitë e malazezeve, që ua hapën deren me bujari. "Ne biseduam me ta, por ata deshën të rrinin tjetërkund", thotë Radisha.

Dikush ka treguar se kolonet malazeze te vendosur ne Nova Vraka ishin pare duke djegur shtepite e shqiptareve afer Pejes. "Ne nuk kemi të bëjmë me ta. Ato që ndodhën në Kosovë nuk i pëlqyen askujt prej nesh", thotë Radisha, "ne jetojmë në Shqipëri, kemi tokën tonë që e punojmë dhe

kemi fqinjët tanë me të cilët kalojmë mirë".

Një fëmijë, ulet në krah të Radishës. "Eshtë Momiri. Djali im. E quajta kështu, sepse kishte një periudhë që simpatizoja Bullatoviçin, por tani jam penduar", thotë babai duke i përkëdhelur flokët të birit që e mban trupin drejt me një krenari të pazakontë për fëmijët e moshës së tij.

Radisha thotë se nëse ka pasur ndonjë shenjë persekucioni ndaj minoritetit malazez në Shqipëri kjo ka qenë mungesa e përhershme e shkollave në gjuhën amtare. Mirëpo vrakaçorët nuk qahen edhe aq shumë për këtë. "Gjuhën e mbajmë vetë gjallë nëpër shtëpitë tona", qesh Radisha me atë gazin e zhurmshëm të njeriut optimist. Minoritarët e Vrakës kanë organizaten e tyre të quajtur "Rozafa-Moraça",

ku përveç tyre bëjnë pjesë edhe anëtarët e minoritetit sllavo-mysliman të Shkodrës që quhen "podgoriçanë". Në pamje të parë gjithcka duket në rregull. Por fshatarët malazezë të Vrakës kanë një peng që nuk i lë të qetë. Kur kryeministri i Malit të Zi vizitoi Shkodrën ca muaj më parë, as që ndaloi në fshatin e tyre, ndonëse ata kishin dalë anës rrugës për ta pritur. "Erdhën vetëm ca anëtarë të delegacionit", tregojnë fshatarët.

Në fakt vrakaçorët kanë disa vjet që po bëjnë zbulimin e hidhur se nuk janë edhe aq të shtrenjtë sa kujtonin për kushërinjtë e tyre të matanë kufirit. "Ua kam thënë edhe nja dy gazetarëve jugosllavë që erdhën para ca kohësh tek ne. Për ta thuajse nuk ekzistonim dhe bënin sikur sapo na kishin zbuluar", tregon Radisha.

Mali i Zi i ka harruar bashkëkombasit e tij të Shqipërisë. Të paktë në numër vërtet, por me një krenari që ndoshta meritonte më shumë vëmendje.

"U kërkuam të na sillnin ca makineri bujqësore, të na siguronin ndonjë treg shitjeje që do të na mbante gjallë, por asgjë. I vetmi favor, arsimimi pa problem i fëmijëve tanë në shkollat e atjeshme", thotë i pakënaqur Radisha.

"Sa për Shqipërinë, ajo na ka dalë borxhit. Toka iu shpërnda të gjithëve

në Vrakë pa bërë as edhe dallimin më të vogël. Trajtimi na u bë njëlloj me gjithë të tjerët. Madje morën tokë edhe ata që e kishin braktisur fshatin për të ikur në Jugosllavi. Nëse punët nuk kanë shkuar edhe aq mbarë, kjo ndodhi për të gjithë njëlloj, jo vetëm për minoritetin sllav", thotë fshatari i mirë Radisha.

Fati i tij ashtu si ai i bashkëkombësve të tjerë është përcaktuar tashmë. "Ne s'ndahemi dot prej Shqipërisë", tha Radisha, kur po tregonte

historinë e bashkëfshatarëve të tij që shkuan në kërkim të rrënjëve në Jugosllavi. "Mos harroni, edhe ne jemi shqiptarë". Nga buzët që dridhen të nënës së tij plakë dëgjohet prapë një "zdravo" e fundit.

AIM Tirana

SOKOL SHAMETI