Shpartallimi i Bullatoviqit
Është dëshmuar se Bullatoviqi ka llogaritur gabimisht: më shumë se e një e treta e anëtarëve të tij nuk u paraqit në zgjedhjet federative. Sa i përket Malit të Zi, fitoi ai që gjithçka e shikonte nga ana tjetër e fshehtë dhe i cili nuk u paraqit në vendvotim, pra kryetari malazez, Gjukanoviqi. Thirrjen për bojkot e dëgjuan 75 përqind të qytetarëve.
AIM Podgoricë, 25.09.2000.
Katastrofë, fijasko, debakël, fillim i fundit i dishepullit të regjimit beogradas Në mënyra të ndryshme mediat tentojnë ta përshkruajnë të shkruarën, atë që i ndodhi me 24 shtator, në zgjedhjet federative në Mal të Zi, Partisë Popullore Socialiste (SNP) të Momir Bulatoviqit. Numrat flasin bindshëm për përmasat e tërmetit që e ka goditur SNP (PPS). Me gjithë paralajmërimet e rrufeshme të përgjigjes së thirrjes nga ana e votuesve – në fund, kur u mbyllën vendvotimet dhe kur vonë erdhën rezultatet treguan se në zgjedhje mezi dolën 25 përqind të votuesve në Mal të Zi. Më saktë: më 24 shtator në vendvotime dolën tridhjetë mijë njerëz më pak për PPS (SNP) dhe partitë e bllokut serb se sa në zgjedhjet parlamentare! Përndryshe, partia e Bulatoviqit dhe JUL-i (E majta jugosllave) fituan në zgjedhjet për parlament rreth 135 mijë vota kurse tani, në zgjedhjet federale, kanë votuar, sipas rezultateve precize të DOS-it (Opozita Demokratike e Serbisë) 109 mijë votues. Për këtë gjendje konfuzioni dhe shoku postzgjedhor më mirë ka dëshmuar zëdhënësi i Partisë Popullore Socialiste. Kështu, Neven Goshoviq, kryetar i Komisionit zgjedhor të Malit të Zi të dielën mbrëma rreth orës 23, kumtoi se në Mal të Zi kanë votuar 150 mijë njerëz, duke pohuar se në vendvotime kanë dalë 35 përqind të votuesve, “duke mos i marrë parasyshë popullatën fshatare”.
Të njëjtën mbrëmje, një orë më pas, Goshoviqin e demantoi kolegu pushtetor partiak. Nënkryetari i Partisë Popullore Socialiste, Zoran Zhizhiç konstatoi se në zgjedhjet, në Mal të Zi, kanë votuar 130 mijë votues, por për dallim nga Goshoviçi Zhizhiç llogariti, se ky numër, në realitet, paraqet 43 përqind të trupit elektoral!? Që të nesërmen në mëngjes, në konferencë shtypi, Zhizhiç demantoi edhe vetveten. “Të dhëna plotësuese që arritën gjatë natës, flasin se në zgjedhje kanë dalë më pak votues se sa ka thënë mbrëmë. Nuk kemi të dhëna të sakta, por votuan diçka mes asaj që ka kumtuar DOS-i (ODS) dhe atë e kam thënë unë”, tha Zhizhiç, haptas i habitur dhe i befasuar me numrat që flasin kundër politikës që i përket.
Nëse njerëzit e Partisë Popullore Socialiste (SNP) ishin të shokuar, kundërshtarët e tyre nga Partia Demokratike e Socialistëve ishin të gatshëm që të gëzoheshin publikisht. “Këto zgjedhje janë vetëm një dëshmi më tepër për debaklin e dhunës politike qendra e së cilës është diktatura e Beogradit, kurse zbatues të punëve serviset në Mal të Zi”, tha Miodrag Vukoviç, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe këshilltar i kryetarit malazez, Gjukanoviqit. “Rezultatet flasin se SNP prej sot nuk ka përkrahje as në shtatë komunat ku momentalisht është në pushtet”, potencoi Vukoviqi.
Të dhënat nga terreni u japin të drejtë analizave të Vukoviqit. Përveç se në komunën Andrijeviçit ku dolën 60 përqind të qytetarëve, Pluzhin ku dolën 51 përqind dhe Kolashin ku në zgjedhjet federative dolën saktësisht gjysma e votuesve (50,28%) në të gjitha komunat tjera pjesëmarrja e votuesve paraqet disfatë të tërësishme për Partinë Popullore Socialiste dhe partnerët e saj të koalicionit JUL-it dhe Partisë Popullore Serbe.
Pjesëmarrja më e vogël, ashtu siç pritej, ishte në vatrën malazeze në Cetinjë ku votuan vetëm 4.06 përqind të votuesve të regjistruar. Pjesëmarrje mizerie kishte edhe në Rozhajë (5,23 përqind), Ulqin (6,70), Tivar (14,95) Kotor (15,69), Pllavë (17,78)... Por, befasia më e madhe padyshim, është votimi në veriun e Malit të Zi, vatër tradicionale e Partisë Popullore Socialiste. Kështu në Bijelo Pole pjesëmarrja ishte diku 25 përqind, në Beran 33 përqind, kurse në Herceg Novi, “qytetin më jugor serb”, ku Bulatoviqi fitoi në zgjedhjet lokale dhe policia ushtarake i siguroi votimet – vetëm 33,60 përqind!
Edhe rezultatet nga dy qytetet më të mëdha, Podgoricës dhe Nikshiqit, flasin për një humbje të thellë politike. Në Nikshiq kanë votuar afër 10 mijë votues (20,97përqind), kurse në Podgoricë u vërtetua se Partia Socialiste popullore (SNP) ka shtatë mijë anëtarë më pak se sa nga muaji maj i vitit 2000 kur në zgjedhjet lokale votuan 25 përqind për të. Shumëçka mund të parandjehej edhe gjatë ditën së votimit. Gati në të gjitha qytetet malazeze ishte shkretëtirë, pa komentimet dhe zhurmën zgjedhore. Në vendvotiet e improvizuara kryesisht u mërzitën anëtarët e këshillave votues. Edhe pse mundeshin të votonin, sipas udhëzimit të kryetarit të Komisionit Zgjedhor edhe pa lejenjoftimi (!), nuk kishte pjesëmarrje masive përveç se në disa komuna të lartëpërmendura. Që nga ora 14 analizat flisnin se SNP-së nuk i shkruhej mirë: sipas kontrollorëve të DOS-it deri në këtë kohë, në nivel republikan, votuan afër 9,75 përqind të votuesve! Çmenduri ishte edhe prezenca e herë pas hershme e policisë ushtarake në afërsi të vendvotimeve: shumica e qytetarëve nuk dëshironin të votonin, ose ishin të impresionuar nga qëndrimi shtetëror se “këtë ditë kanë punë më të mençur”.
Atëherë u aktivizua makineria e njohur e manipulimit të zgjedhjeve. Menjëherë këshillave zgjedhore filluan tu vijnë kërkesa nga të gjitha anët për votime jashta vendvotimeve. Procedura e këtij votimi është e rregulluar me ligj dhe kryesisht është “privilegjuese” për ata që janë të sëmurë, invalid ose pleq që nuk mund të shkojnë deri tek vendvotimi i paraparë. Por numri i “invalidëve të menjëhershëm” në Mal të Zi rritej nga ora në orë. Deri ora 17 u regjistruan më shumë se 18 mijë kërkesa të këtilla! Se bëhet fjalë për diçka jashtë ligjit dhe rregullores dëshmoi refuzimi nga ana e SNP-së që të shkonin kontrollorët e DOS-it jashta këshillave votues.
Rezultatet e votimeve treguan se në këtë mënyrë SNP arriti që, sadopak, që përmirësonte kolapsin zgjedhor: afër nëntë mijë (saktësisht: 8.925) “të palëvizshëm dhe të sëmurë” votuan asaj të diele, që paraqet afër nëntë përqind të pjesëmarrjes së përgjithshme të votuesve!
Rreth përmasave të kësaj “epidemie” befasuese foli edhe ministri i shëndetësisë, Miomir Mugosha, në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi të dielën mbrëma, duke potencuar se shërbimet mjekësore nuk kishin evidentuar ndonjë sëmundje të rrufeshme në Mal të Zi. “Diagnozë nuk mund të japim, madje gjithçka më ngjan si sëmundje e mungesës së votave, por të mos prejudikojmë, ekipet tona epidemiologjike vizitojnë votuesit e sëmurë, dhe pasi epidemia ka marrë përmasa alarmante planifikoj të thirrë Këshillin Nacional për shëndetësi”, vlerësoi, jo pa ironi, Dr. Miomir Mugosha.
Në fund asgjë nuk ngjau: edhe pse mundej të votohej pa lejenjoftimi edhe pse “u shtërfry” se ekzistojnë nëntë përqind të të palëvizshëve dhe të sëmurëve që votuan për Millosheviqin, edhe pse në procesin zgjedhor u inkuadrua policia ushtarake, më pak se një e katërta e votuesve malazez i përgjigjën thirrjeve për votim. Nëse nga numri i përgjithshëm (109 mijë), kemi parasyshë fletvotimet e montuara dhe përqindjen e atyre që votuan për Koshtunicën (afër dhjetë përqind) del se për Partinë Socialiste Popullore kanë votuar 90 mijë votues, 35 mijë më pak se sa numri në zgjedhjet e vitit '98. Ku janë tani 180 mijë vota përkrahjeje për Millosheviqin, të grumbulluara me rastin e paraqitjes së kandidaturës? Një nga nënkryetarët e SNP-së, Predrag Bulatoviq, konstatoi se për këtë dallim fajtorë janë të tjerët. “Ne kemi siguruar 110 mijë vota, për dallimin e këtillë janë borxhli njerëzit e JUL-it dhe SNS-së”, vlerësoi Bulatoviq.
Edhe pse të gjithë në SNP (Partia Popullore Socialiste) tentojnë që fiaskon politike ta kompensojnë me fitoren vetjake në zgjedhjet për Kuvendin federal, është tërësisht transparente se nuk mund t'ua sqarojnë atë që ndodhi as as anëtarëve të vet – se si u ndërpre besimi i malazezëve në Jugosllavinë pa alternativa? Doli se Bulatoviqi bëri gabimin kryesor duke besuar pa rezervë se do të jetë e mjaftueshme vetëm përmendja e emrit të Millosheviqit që gjithçka të zgjidhet në dobi të tij. U konstatua e kundërta: mu si bixhozxhiu pasionant që humb partinë për partinë, Bulatoviqi hudhi gjithë paratë “në ndarjen e fundit” dhe të gjitha, në fund, i humbi..
Që të jetë më vështirë për Bulatoviqin fitoi ai i cili gjthë lojën e vështroi nga hija – kryetari malazez Gjukanoviqi. Koalicioni pushtetor malazez tani ka shumë arsye për ngazëllim, sepse u pa qartë se thirrjen e tyre për bojkot të zgjedhjeve jolegjitime e dëgjuan tre të katërtat e qytetarëve. Dhe tani shumë qetë pret zhvillimet në Serbi dhe simpatizon për Koshtunicën. Në qarqet e afërta me pushtetin vlerësohet se në këtë rast definitivisht eliminohet rreziku nga aksioni ushtarak në Mal të Zi, kurse me Koshtunicën mundet nëse merren vesht dhe bisedojnë.
“Sot u dëshmua se kur në mënyrë të ndytë numërohen votat, përkrahja për Millosheviqin në Mal të Zi është më e keqe se 20 përqind. Nëse me dhunë qëndron në pushtet për dy muaj kjo përkrahje do të jetë më e vogël se sa pesë përqind”, vlerësoi Miodrag Vukoviç.
Pas 24 shtatorit megjithatë diçka mund të thuhet me siguri: një kaptinë historike, sa i përket Malit të Zi, është përfunduar: shumica e Malit të Zi masovikisht i tha “jo” Millosheviqit, mu ashtu siç i tha “jo” Jugosllavisë, në bazë të Kushtetutës së Zhablakut të vitit 1992. Por nuk do të ishin lexuar drejt rezultatet e shtatorit kur tashmë është bërë publik referendumi për pavarësinë e Malit të Zi. Pas dhjetë vite rrëshqitjeje, bredhje tentime për udhëheqje, shumica e Malit të Zi tani din çka nuk don. Përralla malazeze për kërkim të identitetit të humbur tani fillon. Është mirë, pas gjithë kësaj, se më nuk do të mendohet dhe vendoset me pushkën e dirigjuar në tëmbla.
AIM Podgoricë
DRASHKO GJURANOVIÇ