Gjasa per Prosperitetin, shuplak per Demokratet!
Zgjedhjet lokale në Maqedoni për partitë politike shqiptare mund të paraqiten si të rëndësishme edhe për fitoren edhe për humbjen e betejës në pozicionet lokale, që sipas legjislaturës së këtushme nuk kanë ndonjë farë pushteti. "E vdekura klinike” Partia për Prosperitet Demokratik fitoi rastin të mbijetonte, kurse Partisë Demokratike Shqiptare, në majën e fuqisë së vet, i lëkundet pozicioni i paprekshmërisë.
AIM Shkup, 26.9.2000
Kur para ca muajsh, pas paralajmërimit të zgjedhjeve vendore, në kreun e Partisë për Prosperitet Demokratik erdhi tek ndryshimet e kreut të përgjithshëm partiak, pastaj deri tek mosmarrëveshjet e para në mes degëve të saja të veçanta dhe disa deputetëve me udhëheqësinë e re, dukej se pikërisht zgjedhjet do të jenë çasti kur në skenën politike maqedone do të humbet kjo parti shqiptare dikur mjaft e fuqishme. Në fund të vitit 1999 në zgjedhjet e fundit presidenciale kandidati i saj fitoi shumë më pak vota se sa kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare, me të cilën së bashku shkuan në zgjedhjet parlamentare në vitin 1998. Para këtyre zgjedhjeve PPD-ja u gjet para situatës në të cilën e priti humbjen e pashmangshme së bashku me partitë me të cilat ishte zyrtarisht në pushtet 6 vjet – Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM-në) dhe Partinë Socialiste. I ikën këtij fati sepse të dyja partitë politike shqiptare u morrën vesh se duhej të bashkoheshin forcat dhe bashkarisht të fillonin t'i realizonin kërkesat e bazave të tyre, sepse pazbatueshmëria hap hapësirë për shmangjen e tyre dhe shfaqjen e varianteve radikale të veprimit politik. Kështu PPD-ja fitoi 14 deputetë në Parlament, pra më shumë se sa PDSH-ja që ka 11 deputetë. (Ky raport më pas u ndryshua sepse PPD-ja përjashtoi nga rradhët e veta dy deputetë, kurse njëri formoi partinë politike).
Gjatë zgjedhjeve parlamentare PPD-ja konsideroi se LSDM-ja është e keqja më e vogël se sa VMRO-DPMNE dhe në këtë kartë humbi. Marrëveshja e partive nuk funksionoi pas mbarimit të zgjedhjeve, sepse PDSH-ja pranoi të jetë partnere e koalicionit VMRO-DPMNE dhe AD, por e ruajti për vete qëllimin për të cilin ishin marrë vesh.
Gjasat për ta përmirësuar prestigjin e vet për PPD-në u shfaqën pak para zgjedhjeve vendore gjatë diskutimeve për Ligjin e arsimit sipëror, i cili mundësoi hapjen e institucioneve të larta arsimore në gjuhët e nacionaliteteve. Kjo, sipas vlerësimit të PDSH-së, si pjesë e koalicionit qeveritar, ishte zgjidhje për problemin e zhagitur dhjetë vjet me rradhe, atë të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në kuadër të institucioneve të sistemit, derisa për PPD-në miratimi i Ligjit dhe pranimi i idesë për kolegjin e Komesarit të lartë për pakica kombëtare, Maks van der Shtulit ishte akt fëmijëvrasës mbi Universitetin e Tetovës, i cili funksionon tashmë shtatë vjet, i formuar nga të gjithë faktorët politikë shqiptarë. Ballafaqimi i dy opcioneve ishte i ashpër dhe i gjatë, në njëfarë mënyre shpenzoi pjesën më të madhe të kësaj çështjeje para fillimit të fushatës së zgjedhjeve vendore, kurse në anën tjetër u shënua rritja e temperaturës mes partive kundërshtare maqedone rreth karakterit të zgjedhjeve vendore – janë referendum për aftësinë e pushtetit ose zgjedhje të thjeshta vendore që nuk kanë aspak pushtet në vete – që krijuan planin e dytë të rivalitetit mes partive politike shqiptare.
Në opinionin publik u krijua bindja se kur janë në pyetje partitë politike shqiptare nuk ka gjëra që nuk dihen – fituese e sigurtë është PDSH-ja, kurse PPD-së i shkruhen ditë të zeza..
Në intervistën për gazetën "Vest" lideri i PDSH-së Arben Xhaferi do të deklaronte: "Mund të ndodhë fitorja absolute në të gjitha hapësirat ku jeton shumica shqiptare. Megjithatë, ne do t'i ikim kësaj mundësie sepse demokracia kërkon opozitë, kërkon dikënd që do t'i mohojë rezultate e partisë në pushtet”. Zgjedhjet lokale u konsideruan si mundësi për përgjigje definitive të dilemës se cila nga këto dy parti politike është më e forta, cila nga këto mund të pretendojë rolin e reprezentueses së shumicës shqiptare në Maqedoni. Ose cila nga këta, përfundimisht, do të paguajë për mëkatet e mëparshme. Në këtë situatë u thanë edhe fjalë të rënda.
Sekretari i përgjithshëm i PPD-së, Mahi Nesimi, i cili u bë i njëjtë pas fjalëve të ashpra të nënkryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçit, do të deklarojë: "PDSH-ja është tradhtare e kombit dhe falsifikatore”. Thaçi do t'i përgjigjet: "Nuk do të bëhemi pengje të fjalëve të mëdha. Fjala “mahi”, ashtu siç e përdorin kosovarët nënkupton shaka, dhe mos i merrni seriozisht fjalët e ashpra të Mahi Nesimit dhe të tjerëve".
Menduh Thaçi më pastaj disa herë, gjatë ballafaqimit rreth Ligjit për arsim sipëror, duke mos e fshehur superioritetin, i porositi oponentët e vet që të shfaqen bashkarisht në zgjedhjet vendore ku do të shihet kush është më i forti. Naser Ziberi, koordinator i Grupit Parlamentar të PPD-së, në intervistën për javoren "Start" duke iu përgjigjur pyetjes së parashtruar nga vet ai se pse PDSH-ja është në pozitën rolin që të marrë poenat që i takojnë PPD-së do të thotë: "Xhaferi me filozofinë e vet politike arriti që ta bind gjithë opinionin publik maqedonas se është lojtari kryesor në Maqedoni. Para maqedonasve tregohet si njeri që drejton VMRO-DPMNE-në, gjegjësisht kryeministrin dhe pushtetin. Ky qëndrim krijon ndjenjë tek shqiptarët se Xhaferi është shpëtimtari i "kauzës" shqiptare në Maqedoni, por edhe më gjërë dhe se luan në shtigje tjera". Këtë paraqitje për vetveten dhe partinë e tij nuk e fshehu as Xhaferi në intervistën për gazetat "Shekulli" dhe "Flaka": "Proceset historike shpesh nuk mund të kthehen prap, por edhe përkundër kësaj ne jemi përpjekur të angazhohemi që deri diku të korigjojmë kursin politik progresiv të cilin nev na ka krijuar PPD-ja që nga fillimi i nëntëdhjetave".
Dhe kur dukej se për shkak të atmosferës së nxehtë të krijuar mes pjesës maqedone të pushtetit, ndërmjet VMRO-DPMNE dhe partisë më të re me parashenjën e njëjtë, atë të Opcionit të vërtetë reformator maqedonas në të cilin kaluan gjashtë deputetët e saj kurse u paralajmëruan edhe kalimet tre herë më të mëdha se kaq dhe kur mund të ndodhte të vinte tek incidentet në zgjedhjet lokale, krisi atje ku më së paku pritej – tek shqiptarët. Në rrethin e parë ndodhën varg incidentesh në vendvotimet kryesisht me shumicë shqiptare dhe për herë të parë në zgjedhjet shumëpartike u përdorën armët –tetë persona u plagosën, kurse Fatmir Jakupi (23) nga fshati Kondovë e pagoi këtë betejë për vota me jetën e tij. Fakti se deri tani nuk është ndriçuar asnjëri nga këto raste u shkon përshtati pohuesve që thonë se pjesëmarrësja në pushtet PDSH-ja ose në së paku “simpatizuesit – entuziastët” e saj të pakontrolluar qëndrojnë pas këtyre incidenteve.
Rrethi i parë i zgjedhjeve vendore ka marrë vlerësimet më të këqija deri tani nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Shefi i misionit të OSBE-së në Maqedoni Karlo Ungaro në intervistën për javoren "Zum" deklaroi: "Jemi takuar me zotin Xhaferi dhe i kemi thënë se çka mendojmë rreth asaj që ka ndodhur ditën e votimeve. I thamë se në rast se partia e tij nuk duhet të akuzohet për këto incidente, duhet të dalë me deklaratën për të dënuar dhunën. Në rast se vlerëson se partia e tij mban përgjegjësi për këto ngjarje ai duhet t'i gjykojë dhe të marrë masa konkrete ndaj anëtarëve që kanë marrë pjesë në dhunë”.
Pas rrethit të parë të zgjedhjeve, të mbajtura më 10 shtator, Kryesia Qendrore e PPD-së solli vendimin se tërësisht tërhiqet nga zgjedhjet lokale. Kryetari i PPD-së Ymer Ymeri në intervistën për BBC ishte decid: "Ne konsiderojmë se zgjedhje nuk ka pasur, por ka pasur dhunë". Mahi Nesimi ishte edhe më i ashpër: "Në Maqedoni nuk ekziston demokracia, posaçërisht në pjesën perëndimore. Kjo është hyrje në diktaturën e Lubço Georgievskit, i udhëhequr nga bulgarofilia dhe Arben Xhaferit, i udhëhequr nga serbofilia dhe ata doemos duhet të ikin. Arben Xhaferi, prej se më 1993 erdhi nga Kosova, me direktiva të shërbimeve sekrete serbe, asgjë tjetër nuk ka bërë vetëm se i ka përçarë shqiptarët ".
Në rrethin e dytë në fshatin e Shkupit Kondovë, në vendvotimet në shkollën fillore ku u lëndua i riu Fatmir Jakupi, i cili la dasmën për të votuar, mbase edhe për ata që në fshatin e tij i dërguan vrasësit e tij, edhe pse ishin të hapura prej orës 7 deri 19, siç thotë ligji, kutitë e votimit mbetën të zbrazura. Shumë kondovas mediave të këtushme u thanë se më kurrë nuk do të votojnë pamarrë parasyshë se çfarë zgjedhjesh do të ketë..
Në demonstratën e mbajtur para disa kohësh në qendrën e Tetovës, një ditë para heshtjes parazgjedhore, që e organizoi PPD-ja me moton “Kundër dhunës” kishte numër të madh njerëzish, gati gjë e papritur për partinë e cila nuk ka ndonjë përvojë në organizimin e mitingjeve. Do të thoshim se oponentët e tyre ishin mjeshtër për aktivitete të këtilla. PDSH-ja për herë të parë përjetoi që oponenti i saj “PPD-ja e moderuar”, mu para dritares së selisë së saj të organizojë miting, në të cilin shqiptarët protestuan kundër saj, ose me fjalë të tjera kundër shqiptarëve tjerë.
"Të menduarit kolektiv " të shqiptarëve, reprezent i së cilit konsiderohe(j)t PDSH-ja, u ndez në këtë tubim. Nuk janë më ata kundër të cilëve masa e mbledhur ishin maqedonë, partitë e tyre ose hapat e pushtetit të tyre. Nëse gjithë ajo që ndodhi para dhe gjatë zgjedhjeve lokale mes partive politike shqiptare vazhdon si proces i opcioneve politike të estabilishmentëve të ndryshme, atëherë kjo është mirë sepse kështu i iket opcionit për krijimin e pozicionit politik udhëheqës brenda qarkut të mbyllur dhe të ndarë politik shqiptar në Maqedoni. Konkurenca partiake do të jepte edhe kualitete tjera, veç dëshirës për të qenë një “bajraktar” i interesave nacionale shqiptare. Duket se në këto zgjedhje lokale Prosperiteti e fitoi shansin, kurse demokratët shuplakën.
AIM Shkup
ISO RUSI