Si të mbijetohet?

Pristina Sep 25, 2000

Prishtinë, 7.09.2000

Kosova nuk është shoqëri në tranzicion, por në fazën e paratranzicionit, paralizimit dhe rënimit ekonomik. Konstatimi mund të duket absurd ose i tepruar, por këtë e vërtetojnë të gjitha rrjedhat në Kosovë. Si proces i transformimeve të gjithanëshme, tranzicioni përfshin të gjitha poret e shoqërisë, kurse kalon nga ekonomia si bazë e të gjitha ndryshimeve tjera. Pasojat më të rënda dhe më të dukshme të tranzicionit shfaqen në sferën sociale të stresave të ndryshme të shoqërisë. Kjo gjendje, as para, as pas, nuk jep asnjë shfaqje pamjeje të përmirësimit të gjendjes dhe as që mund të bëhet në rast se nuk hapen perspektiva në zhvillimin ekonomik. Shkaku i gjendjes specifike politike dhe juridike Kosova nuk ka institucione legale dhe legjitime vendore që do të ballafaqoheshin me problemet e vështira ekonomike, politike, sociale dhe problemet psikologjike të fazës tranzitore dhe pasojave të luftës së ashpër dhe shkatërruese njëvjeçare.

Administrata civile ndërkombëtare (UNMIK) si institucion ekzekutiv në Kosovë është rezultat i kompromiseve thelbësore të diplomatëve ndërkombëtarë. Çdo tentim për tu marrë me problemet e tranzicionit, shkakton reagime kontradiktore si brenda UNMIK-ut, gjithashtu edhe në selinë e OKB-së dhe qendrave të fuqive të mëdha. Për këtë shkak administrata civile ndërkombëtare shpesh gjendet para dilemave të mëdha, gjithashtu edhe në gjendje të paralizuar dhe të pafuqishme.

Edhe pas një viti UNMIK nuk ka arritur të vendosë bazat e një infrastrukture juridike e të mos flasim për programet dhe kërkesat serioze që do të shpienin deri tek hapja e perspektivave zhvillimore. Për tu ikur kontesteve me qendrën e Nju Jorkut dhe disa qendrave të forcave të mëdha, UNMIK, bën gjithçka që tu bie rrotull problemeve të pronësisë dhe privatizimit pa të cilat nuk mund të paramendohet në nuk mund tu dilet në krye probleme rrënjësore të tranzicionit. Rezultat i kësaj është paqartësia rreth zhvillimit dhe përspektivës dhe natyrisht rënia e potencialeve ekonomike të trashëguara nga sistemi i dikurshëm që mund të shfrytëzohet edhe në kushtet e reja të prodhimtarisë.

Prej këtu është e paqartë dhe e pavendosur politika e intervenimit sot për nesër. Kosova ka trashëguar shumë gropa, kurse UNMIK me politikën e vet i shpërndan dhe hap të tjera. Edhe mëtej politikisht nuk është konkluduar se kështu më nuk mundet. Gropat bëhen më të shumta, për këtë shkak është shumë e vështirë që ata të mbushen. Shembull konkret në kuptimin politik, por edhe ekonomik, janë termoelektranat e Kosovës. Zyrtarisht është kumtuar se në këto objekte gjatë vitit të kaluar janë investuar rreth120 milion marka gjermane. Paramendohet se një pjesë e këtyre mjeteve është harxhuar meremetimin e kazaneve të shumtë dhe të mëdhenj të ujit për ftohje. U meremetua njëra, kurse uji filloi të rrjedhë nga një vrimë tjetër e re.

E çka u arrit? Ekspertët ndërkombëtarë e vendas tashmë gati çdo ditë pohojnë se mund të përsëritet dimri i vjetëm i rëndë dhe i ftohtë. Përse atëherë u harxhuan gjithë ato para? Në mirëmbajtjen e teknologjisë së viteve 50-të dhe 70-të?! Përse UNMIK nuk e hap çështjen e privatizimit të termoelektranave të Kosovës si një perspektivë e veme, që kjo degë e ekonomisë të fillojë të rimëkëmbet dhe të ngrihet në këmbë të shëndosha? Shkaku kryesor është se UNMIK dhe disa qendra nuk duan të prekin në të drejta të pronësisë së shtetit serb. Nga ana tjetër, pa definimin e qartë të statusit të Kosovës, tepër kompleks, për termoelektranën dhe objektet tjera, asnjë njeri serioz nuk duhet të presë angazhim të kapitalit të huaj privat, kurse pa këtë këto objekte janë të dënuar të shkojnë drejt shkatërrimit ose gjallërimit ose rrënimit në kuadër të politikës së arnimit të mbushjes së gropave. Është e vërtetë se gjatë vitit të kaluar janë bërë shumë gjëra për jetësimin e shërbimeve publike. Janë ripërtrirë shkollat, shëndetësia, është tentuar që të krijohet rrjeti i organeve të pushtetit lokal të UNMIK-ut. Ndërmjet 60 deri 70 mijë njerëz në shërbime të numërta publike ekzistojnë nga buxheti mjaft i pasigurtë, i cili shumë vështirë siguron të ardhurat mujore edhe ashtu simbolike. Përveç kësaj, gjithnjë flitet ose zbatohet ndonjë reformë, ndryshim që njerëzit i mban në një tension të vazhdueshëm pasigurie sociale. Si do të mbahen këto shërbime buxhetore me ekonomi gjithnjë të paralizuar? Mbase 40 deri 50 mijë njerëz ose pak më shumë që janë të angazhuar në sektorin privat. Nuk ka shenja se në të ardhmen e afërt do të zgjidhet statusi juridik i kësaj kategorie punëtorësh. Aktualisht, ata janë të eksploatuar deri në lëkurë. Punohet për të ardhura mjaft të ulëta pa siguri sociale, shëndetësore, pensionale dhe materiale. Paramendohet se rreth 20 mijë njerëz punojnë për strukturat e këtushme ndërkombëtare për rroga mjaft të larta. Nga të gjithë të angazhuarit që punojnë për të huajit, për të cilët nuk mund të sigurohet ndonjë evidencë publike, pasurohet shtresa e vetme e cila jep shtëpinë me qira.

Përafërsisht në mënyrë të njëjtë arrijnë ta sigurojnë ekzistencën edhe serbët e këtushëm në enklavat e tyre. Atyre, pak më tepër dhe në mënyrë sistematike, u ndihmojnë edhe organizatat humanitare. Të gjithë që ishin dikur të punësuar marrin një lloj kompenzimi nga UNMIK-u, ca para dhe ndihma materiale u vijnë kryesisht nga Serbia, kryesisht për rajonin e Mitrovicës, nën kontrollin serb, dhe siç është e njohur marrin atë që quhet pension.

Paramendohet se nuk është e mundshme që të sigurohet ekzistenca mujore për familjet në numër të kosovarëve, pa një mijë marka gjermane. Numri më i madh i familjeve, duhet të jenë rreth 350 mijë, formalisht nuk ka asnjë anëtar të punësuar. Mund të paramendohet se edhe mëtej burimi kryesor i ekzistencës janë punëtorët në Perëndim. Kryesisht shumica e njerëzve janë të angazhuar në valët e ndërtimeve kaotike, veçmas nëpër qytete. Këtu edhe mëtej nuk ka shërbim të të dhënave dhe evidencave statistikore, por konsiderohet se në Kosovë vlerësohet se duhet të ketë 600 deri 700 mijë qytetarë të aftë për punë. Rreth 100 mijë pensionistë janë jashta çdo shqetësimi të shoqërisë. Është e vërtetë se lulëzon tregëtia nga gjithkush dhe me gjithçka. Por kjo, në masë të konsiderueshme, bazohet në shpenzimet e 60 deri 70 të huajve, duke pasur parasyshë edhe ushtarët.

Pjesa më e madhe e shoqërisë jeton në varfëri të thellë dhe pasi edhe këto edhe shoqëria ekzistojnë disi duhet paramenduar se burim i rëndësishëm i të ardhurave dhe aktiviteteve të tyre është i padefinuar, i paqartë, prandaj edhe jashta normave morale dhe rregullave juridike. Këtu bëjnë pjesë edhe mijëra punëtorë, të cilët kryesisht me vetëniciativë tentojnë që të mbajnë ose të gëzojnë disa objekte që ishin pronë shoqërore ose shtetërore. Ata, dhe shumë të tjerë, ende ëndërrojnë kohërat e vjetëra të harmonisë dhe sigurisë sociale.

Kryeqyteti i Kosovës është koncentrimi i dëshirave kosovare, i pafuqisë dhe absurdit i kontradiktave sociale, primitivizmit, avanturizmit, aspiratave joreale dhe i luftës për ekzistencë ose pasurim. Para luftës Prishtina kishte diçka mbi 200 qytetarë, kurse tani flitet se ka mbi 500 qytetarë, kurse asgjë nuk është ndryshuar në kapacitetet banesore dhe infrastrukturore. Para shumë kohësh u shfaq konkursi për pranimin e nxënësve në shkollat e mesme dhe studentëve. Numri është zvogëluar në mënyrë drastike, për çka konkurenca ishte një me dhjetë. Nuk ka dyshim se së paku 70 përqind e nxënësve dhe studentëve nuk do të munden të ulen në bankat shkollore, prandaj ata, në mungesë të perspektivave zhvillimore do të lihen në mëshirën e familjeve ose thënë më mirë vetvetes, natyrisht edhe rrugëve.

AIM Prishtinë

FEHIM REXHEPI